Kryeministri Edi Rama përmes një njoftimi në rrjetet sociale u ka bërë thirrje qytetarëve që jetojnë në Tiranë dhe Durrës, të cilët u larguan këtë fundjavë në qytetet e tjera të kthehen në perimetrin e blinduar jo më vonë se ora 8:00 e mëngjesit të së hënës.
Sipas kreut të qeverisë, perimetri Tiranë-Durrës mund të mbyllet sërish dhe si pasojë personat që janë aktualisht brenda këtij perimetri të mos planifikojnë të lëvizin fillimjavën e ardhshme.
“Kush banon në Tiranë/Durrës dhe është larguar për fundjavë të gjatë në Korçë ose gjetkë, të sigurohet të hyjë në perimetrin e blinduar gjatë hapjes së rrugëve hyrëse, pas mesnatës të së dielës dhe jo më vonë se ora 08.00 e mëngjesit”.
“Kush banon në Tiranë/Durrës dhe është aktualisht brenda perimetrit, të sigurohet që të mos planifikojë lëvizje jashtë perimetrit në fillimjavën e ardhshme (duke shfrytëzuar hapjen e rrugëve nga e diela në mesnatë deri të hënën në 08.00) sepse mund të mos rihyjë dot! Sipas të gjitha gjasave perimetri Tiranë/Durrës do të mbyllet përsëri”, shkruan Rama.