Teksa renditi të gjitha punët që Partia Socialiste ka bërë për vendin, kryeministri Edi Rama u ndal dhe tek ato që janë në plan për t’u realizuar. Nga takimi i tij në Fier në kuadër të Asamblesë së Zgjeruar të PS, ai tha se Shqipëria ka nevojë për njerëz të zanatit.
“Gjërat që janë për t’u bërë janë më shumë sesa këto që kemi bërë. Ne të bëjmë atë kapërcim historik që kemi marrë përsipër dhe që ta kemi Shqipërinë e 2030-ës vend kampion absolut në rajon për turizmin, për eksportet bujqësore, dixhitalizimin, ne duhet me patjetër të kuptojmë në veprimin e përditshëm që duhet të rrisim me shpejtësi kapacitetet njerëzore në arsimin profesional. Nuk mundet ne të jemi kampion të rrethuar nga vende që luajnë në Champions League, dhe që të konkurrosh me ata duhet jo thjesht t’u ofrosh siguri dhe bukuritë e natyrës, por duhet t’u shërbesh me cilësi. Mungesa e specialistëve, njerëzve të zanatit në të gjithë spektrin e industrisë së turizmit është alarmante dhe është e kotë.”
Rama u bëri thirrje prindërve që mos t’i nxisin fëmijët të shkojnë në fakultet nëse nuk kanë mesataren e duhur.
“Ua them gjithë prindërve që kanë fëmijë që shkojnë në gjimnaz me 5 dhe këmbëngulin që t’i çojnë në universitet, që të humbasin kohën për t’i dhënë një rrugë që me shumë gjasë nuk do e nxjerrë asgjëkundi. Ndërkohë që mund të jetë shumë i prirur për zanatin dhe mund të krijojë biznesin e vet dhe të jetë i zoti të fitojë nga puna e vet në vend që të vijë vërdallë me një diplomë që nuk i pi ujë asgjëkundi. Ky është ndryshim i madh që duhet bërë tani. Ne kemi nisur një proces sensibilizimi me shkollat, jepuni fëmijëve një zanat, kur ata të dalin në jetë pas 5 vitesh, Shqipëria do ketë shumë kërkesë dhe do ketë punë.”