Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos marrin mjekime për Covid nga spekulantë apo persona të paautorizuar. Ai u kërkoi njerëzve që t’u referohen mjekut të familjes dhe Urgjencës Kombëtare. Sipas tij, ky fenomen ndodh edhe në shtete me shëndetësi të zhvilluar.
“U them qytetarëve se duhet t’i referohen besnikërisht mjekut të familjes dhe t’i referohen besnikërisht të gjitha këshillave që marrin nga Urgjenca Kombëtare dhe të mos marrin ilaçe dhe të mos shpenzojnë nga buxheti i familjeve të tyre për të bërë largqoftë dëm në shëndetin e tyre. Ky është një fenomen që ndodh në vende e tjera. Është një fenomen edhe në një sistem shëndetësor si Italia ku vërehet fenomeni i marrjes së medikamenteve që nuk ndihmojnë, por në shumë raste dëmtojnë të prekurin nga ky virus. Këtu hyjnë spekulantët, ankthi i familjes, pasiguria e personit vetë që nxiten të bëjnë maksimumi. Është këmbëngulje e përditshme e ekspertëve që qytetarët të mos bien pre e ankthit, pasigurisë dhe spekulantët. Të mos i marrin këshillat me WhatsApp nga njëri-tjetri, as thjesht dhe vetëm nga mjekë që nuk janë të specializuar dhe të autorizuar siç janë mjekët e familjes”, tha Rama.
Kryeministri tha se në buxhetin e vitit të ardhshëm është përfshirë skema për rimbursimin e medikamenteve të të gjithë të prekurve nga Covid që po trajtohen në shtëpi.
“Thënë kjo, në buxhetin e 2021 do të vazhdojmë atë që nis në pak ditë, mbështetjen me financë të recetës bazë dhe futjes në skemë për t’u rimbursuar të të gjithë medikamenteve dhe në funksion të të gjithë të prekurve nga Covid-19”, tha Rama.