Politika Rama, thirrje shkodranëve: Shpërfillja e rregullave e ka kthyer qytetin në një...

Rama, thirrje shkodranëve: Shpërfillja e rregullave e ka kthyer qytetin në një bombë me sahat

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje të veçantë qytetarëve të Shkodrës, që të respektojnë masat që janë marrë për frenimin e pandemisë së koronavirusit.

Pas pamjeve të grumbullimit masiv të njerëzve në tregje dhe pika të tjera të qytetit verior, Rama tha se situata atje, sikurse në të gjithë vendin, mbetet delikate.

“Respektoni rregullat, sepse shpërfillja e masave e ka kthyer Shkodrën në një bombë me sahat. Ne do të bëjmë gjithçka për të mbështetur Shkodrën. Për fat të keq ende nuk e kemi pasur angazhimin nga strukturat e pushtetit vendor, por kjo do të zgjidhet”, tha Kryeministri. “Në fund të ditës është disiplina e hekurt e masave nga vetë banorët. Do të bëjmë gjithçka për të këputur zinxhirin e infeksionit. Situata është shumë delikate”.