Kryeministri Edi Rama ka kërkuar mandatin e tretë qeverisës për vendin, në fjalën e tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, teksa tha se “ne nuk jemi e keqja më e vogël, por jemi e vetmja e mirë që ka në politikën shqiptare”.
Duke renditur ato që janë arritur në dy mandatet e para, Rama tha se “këto të gjitha janë arsye, pse ne na duhet një mandat i tretë jo për vete, por për Shqipërinë që në mandatin e tretë Shqipëria të kalojë nga ecja në vrapim. E janë sot kushtet për të shpjeguar si e pse Shqipëria mund të kalojë në një nivel të ri shpejtësie. E kush mund ta kalojë në një nivel të ri shpejtësie Shqipërinë përveç PS?”
Rama theksoi se askush nuk duhet të jetë i kënaqur me ato që janë arritur deri tani.
Teksa kujtoi momente të vështira pak pas marrjes së mandatit të parë qeverisës, në bisedimet me FMN, kur kërkonte ulje të pagave e pensioneve.
Pjesë nga fjala e kryeministrit:
Me rëndësi të kemi parasysh nga vijmë, për të mundur të dimë se ku mund të shkojmë.
Tanimë, kur bëhen 7 vjet nga dita kur ne morëm detyrën, mund të thuhet me plot gojën se jemi në kushtet kur e keqja më e madhe është harruar, ose duhet kujtuar dhe rikujtuar se dita kur ne e nisëm këtë rrugëtim, s’ka asgjë të ngjashme në raport me punët e vendit në raport me ditën ku jemi sot. Por kur e keqja harrohet shpejt, e mira s’ka fund. Ne duhet të mbajmë parasysh që teksa numërojmë ato që kemi bërë në asnjë moment mos t’ia themi vetes e mos lëmë përshtypjen që jemi të kënaqur me sa kemi bërë.
Mandati i parë ishte përpjekja për të ndaluar një inerci rrënimi dhe hemorragji të rrezikshme në raport me vetë financat e vendit, ku ne jemi ulur në detyrë e kemi parë mbi tryezë të dhënat reale, kemi qenë përballë sfidës së madhe të financimit të rrogave e pensioneve pa pasur nevojë ti ulnim
E kujtoj si sot bisedën shumë të vështirë me FMN që insistonte që duhet ta nisnim nga ulja e rrogave e pensioneve dhe refuzonte idenë tonë se ne do kompensonim boshllëkun e atëhershëm me një reformë shumë agresive në fushën e energjisë ku ishte burimi kryesor i hemorragjisë në aspektin financiar.
S’e harroj kur më kanë thënë “këtë e kemi dëgjuar nga të gjithë kryeministrat e mëparshëm, por e kemi mësuar nga çdo qeveri që kjo reformë në Shqipëri nuk bëhet”.
E sot besoj që të gjithë atyre që me të drejtë, ankohen për shumëçka ende ju mungon, u duhet kujtuar që 7 vite më parë mbanin radhën në shi për të paguar fatura afrofe të energjisë elektrike, fatura arbitrare.
S’ka më fatura afrofe dhe radhë në shi e s’ka arbitraritet apo gabim në faturë që nuk korrigjohet, pa llogaritur transformimin e vazhdueshëm të sektorit me investimet e munguara që na elektrifikimi.
A kanë mjaftuar për të quajtur të mbyllur? Jo aspak, as në këtë as në asnjë sektor tjetër e kjo është arsyeja pse ne duhet të marrim mandatin e tretë.
Mandatin e dytë pasi ndaluam me sukses hemorragjinë, vumë rregull në financat e vendit, ishte mandati ku kemi forcuar organizmin e një trupi që lëngonte 7 vjet më parë dhe pse na është dashur të përballemi përveçse me problemet e trashëguara dhe me probleme të krijuara për të na rënë ndesh, dhe me probleme që i ranë në kokë Shqipërisë jashtë vullnetit të njerëzve, qoftë tërmeti e qoftë virusi.
Ne sot kur jemi në përfundim të këtij mandati të dytë, mandati i ecjes pas një paralize, arrijmë që të rrisim pagat, ndërkohë që nuk më rezulton që ndokush rreth e rrotull nesh e ka bërë këtë. Rrisim pagat si asnjëherë më parë për gjithë mjekët se e meritojnë. Por edhe sepse e konsiderojmë të domosdoshme që këtë mundësi që e kemi krijuar me punën e gjithë këtyre viteve ta vëmë në dispozicion të tyre dhe arsimtarëve”.