Politika Rama tregon fjalët e babait të Klodian Rashës: Asnjë lule s’mund të...

Rama tregon fjalët e babait të Klodian Rashës: Asnjë lule s’mund të preket në emrin e tim biri

Babai i Klodian Rashës dhe Rama gjatë vizitës tek familja e viktimës

Kryeministri Edi Rama në mesazhin e tij drejt qytetarëve për vrasjen e Klodian Rashës, ka treguar se ka zhvilluar një vizitë në familjen e të ndjerit.

Kreu i qeverisë tha se babai i Klodian Rashës ka kërkuar që mos të preket asnjë lule në Tiranë në emër të të birit të tij.  Sipas tij familja sot kërkon drejtësi dhe jo shumë politike.

“Sapo kam zbritur në Tiranë, kam shkuar në familjen e të ndjerit. Jam prekur pa masë nga pritja e tyre dhe urtësia e fjalëve të babait të Klodianit. Asnjë lule e vetme nuk mund të preket në Tiranë në emrin e tim biri.

Ne duam drejtësi, jo zhurmë politike, më tha ai. E kam të qartë se fjalët në këtë rast janë krejt të pafuqishme përballë dhimbjes e boshllëkut që përjetojnë baba, nëna, motra, vëllezërit e Klodianit, xhaxhallarët, dajat, djemtë e vajzat e tyre”, u shpreh kreu i qeverisë.

Në fjalën e tij Rama ka njoftuar dhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe ka sulmuar opozitën për protestën e zhvilluar dy ditët e fundit në Tiranë.