Kryeministri Edi Rama zhvilloi ditën e sotme një video-konferencë me përfaqësues të klerit, të cilët kërkuan nga kreu i qeverisë rinisjen e aktiviteteve fetare, në kuadër të lehtësimit të masave në vend.
Pasi dëgjoi kërkesat dhe argumentet e secilit prej tyre, kreu i qeverisë tha se ishte në një mendje me ta sa i përket faktit që edhe feja duhej përfshirë në listën e aktiviteteve që duheshin lehtësuar, por shtoi se në këtë rast hapja do të jetë modeste dhe graduale.
Kryeministri iu kërkoi përfaqësuesve të komuniteteve fetare që të diskutonin me njëri-tjetrin për të hartuar një kalendar të përbashkët nisur edhe nga shembujt e vendeve të tjera.
“Ndihma që keni dhënë është e paçmuara, pasi me shembullin tuaj keni përcjellë një mesazh shumë të madh për popullin.
Sa i përket shqetësimit tuaj, unë bashkohem me ju, që në kuadër të lehtësimit të masave në jetën e përgjithshme ekonomike e sociale hap pas hapi, është e nevojshme të adresojmë situatën aspak të lehtë që kjo luftë ka krijuar mbi komunitete tuaja dhe të lehtësojmë pengesat e mëdha për ushtrimin e veprimtarisë suaj.
Por duhet të jemi shumë të kujdesshëm, duke e bërë këtë gradualisht gjë që kërkon konsultim, me ju, pasi praktikat tuaja janë të ndryshme, ndaj unë kam kërkuar që grupi i punës, që është i përbërë nga ekspertë të fushës dhe pastaj edhe komiteti ynë i ekspertëve ta adresojnë çështjen.
Por ndryshe nga aktiviteti i biznesit, në rastin tuaj kjo duhet bërë bashkërisht. Menjëherë, sot ose nesër të jeni në dispozicion; të kontaktoni me personat që hartojnë masat lehtësuese për t’u konsultuar si mund të hartohet një kalendar gradual deri në normalizim.
Nëse hartojmë një kalendar të arsyeshëm, duke parë edhe eksperiencat e tjera, atëherë në 18 maj, kur do të jetë konfiguruar gjithë projekti i fazës së dytë, të mund të japim disa indikacione konkrete për komunitetet. Kjo nënkupton një hapje modeste për të garantuar shëndetin e njerëzve”, tha kryeministri teksa mori edhe dakordësinë e përfaqësuesve fetarë.