Kryeministri Edi Rama po zhvillon një bashkëbisedim me gazetarët lidhur me situatën e krijuar nga COVID-i, por edhe atë politike.
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me gazetarët lidhur me situatën e krijuar nga COVID-i, por edhe atë politike. Reforma Zgjedhore, legalizimi i kanabisit mjekësor dhe negociatat janë çështjet e tjera.
“Favorizon oligarkët”, Rama i përgjigjet Bushatit dhe opozitës: Në Shqipëri nuk ka të tillë
Kryeministri Rama i është përgjigjur kritikave të deputetit socialist Ditmir Bushati, por dhe opozitës se po favorizohen oligarkët dhe se duhen anuluar koncesionet. Rama tha e në Shqipëri nuk ka oligarkë dhe ky është një term i gabuar që përdoret qëllimisht për të krijuar ide të gabuara. Rama tha se nuk ka asnjë person të pasur në Shqipëri që ndikon në vendimmarrjet politike dhe se këta biznesmenë sot me qeverisjen e PS paguajnë më shumë taksa se më parë.
“Nuk kam asnjë ndjenjë të posaçme, është hapësirë e lirë diskutim, qasjesh dhe pozicionesh. unë i mbetem asaj që kam thënë sepse e besoj edhe sot në Shqipëri nuk ka oligarkë. mjafton të referohemi tek termi dhe të nxjerrim konkluzion. oligarkë nuk janë ata që janë sipërmarrës të pasur apo që përmes biznesit realizojnë të ardhura më shumë se të tjetër. Oligarkë janë ata që influencojnë drejtpërdrejtë vendimmarrjet e qeverisë dhe caktojë axhenda politike në interes të tyre. Nuk ka asnjë person që ta ketë këtë pushtet në Shqipëri dhe nuk kemi marrë asnjë vendim që nuk ka qenë i diktuar nga bindjet tona dhe në qasje me interesat e vendit. ky term përdoret në mënyrë të gabuar dhe përsëritet vazhdimisht për të krijuar këtë de të gabuar. Përflitet për një disa njerëz që nuk janë bërë të pasur se erdhëm ne në qeveri, por ndër vite dhe me ardhjen tonë ën pushtet mund të them se po paguajnë më shumë taksa e më parë”, tha Rama
“Flirti me Metën”, Rama: LSI ka degraduar vazhdimisht si forcë politike
Kryeministri Rama mohoi se do të ketë më një koalicion me LSI, pasi sipas tij kjo forcë ka degraduar vazhdimisht dhe se programi dhe bindja e PS nuk përputhet më me atë të LSI.
“Nuk shoh asnjë perspektivë për një rikthim në një koalicion me partinë e presidentit, sepse konteksti i sotëm dhe degradimi i vazhdueshëm i asaj force politike dhe detyrimet tona programore dhe bindja jonë se për ne është e mjaftueshëm të flasë puna dhe falë punës një aleancë me popullin na e bëjnë pa asnjë interes këtë temë diskutimi. Nuk kemi asnjë arsye të bëjmë koalicion dhe asnjë arsye. Po e përjashtoj këtë”, tha Rama.
Rama tregon me cilët ekspertë po konsultohet për legalizimin e kanabisit mjekësor
Kryeministri Edi Rama u shpreh se për draftin nuk janë konsultuar me BE-në, por me ekspertë të fushës të disa vendeve ku ka pasur eksperienca të legalizimit të hashashit për arsye mjekësore. “Ka thënë të vërtetën, nuk jemi konsultuar me delegacionin e KE-së për projektin, as unë nuk e thashë. Nuk ka asnjë vlerësim për këtë rast, pasi e vërteta është që nuk ka asnjë konsultim të bërë me delegacionin e BE-së me këtë projekt, konsultimet i kemi bërë me ekspertë të fushës në disa vende ku ka pasur eksperienca jo të legalizimit të hashashit, por futjes në jetën ekonomike dhe veprimtarinë sipërmarrëse të vendit të përpunimit të kanabisit mjekësor”, tha Rama.