Kryeministri Edi Rama tregoi në OKB se ku është frymëzuar për krijimin e shtetit sovran bektashi në Tiranë. Gjatë fjalës së tij Samitin për të Ardhmen në asamble, Rama i kujtoi edhe një herë botës shembujt e mirë që shqiptarët kanë dhënë përgjatë historisë në dobi të njerëzimit.
“Shqipëria mund të jetë një vend i vogël, por i ka dhënë botës shembuj të mirë. Gjatë Luftës II Botërore, Shqipëria u shndërrua i vetmi vend në Europë që kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa para saj. Komuniteti hebre u rrit 20-fish gjatë Holokaustit falë familjeve myslimane e të krishtere.
Më se fundmi, pas rënies së Kabulit në duart e Talebanëve tre vjet më parë ne strehuam disa mijëra afganë, që në të kundërt do të kishin përfunduar në rrethin e 9-të të ferrit.
Shqipëria po kështu i ka dhënë botës shenjtoren më të re, Nënë Terezën, jeta e së cilës ka mishëruar dashurinë për njerëzimin.
Na ka kujtuar se jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.
Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën rrekemi të veprojmë dhe ky është burimi i frymëzimit tonë për të mbështetur transformimin e Qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë Tiranës, si një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë”, tha kryeministri.