Me anë të një dalje “live” në Facebook, kryeministri Edi Rama, ka konfirmuar se prej së hënës ka qenë në Paris e më pas në Berlin, në një vizitë jo zyrtare.
Kryeministri Edi Rama hedh poshtë lajmet se ai ishte shtruar në spital në Gjermani.
“Siç e shihni jam mirë dhe nuk jam i shtruar në Berlin, por në zyrën time në Tiranë. Njerëz jemi, por dhe mund të sëmuremi, por nuk ishte fare ky rasti. Në Berlin kam kaluar dje pasi qëndrova dy ditë në Paris dhe isha për hall, po është e vërtetë, por jo për shëndetin tim por për të takuar miq dhe partnerët e Shqipërisë. Për tu shpjeguar mesa të mundesha arsyet e pamjeve të shëmtuara që kundërshtarët tanë rrugëhumbur me shfaqjet e dëshpërimit të tyre eksportojnë nëpër botë me ato pseudoprotestat e tyre. Për tu kërkuar mbështetje për çeljen zyrtare të negociatave për anëtarësim dhe për të kuptuar më shumë për situatën e brendshme politike në vendet kyçe për vendimmarrjen mbi negociatat me Shqipërinë.”
“Takimet i kërkova vetë”
Rama pranon se nuk ishte vizitë zyrtare por ishte jo formale pune e kërkuar nga vetë ai për të komunikuar lidhur me situatën ku ndodhet Shqipëria.
Edi Rama: Që nga bisedat me ish-presidentë, ish-kryeministra, zyrtarë të lartë dhe opinionistë në zë në Paris, tek bisedat e djeshme në Bundestagun gjerman me përfaqësues të nderuar të Partisë kryesore të koalicionit qeverisës, partnerë e miq të mirë të Shqipërisë. Mos bërja publike e emrave është pjesë e etikës së një vizite jo formale që shprehimisht ia kam kërkuar vetë pa media. Në kushtet konfidencialiteti për të pasur maksimumin e lirisë së shkëmbimit të pikëpamjeve dhe informacioneve.
“Unë sëmurë?!”
Më tej, ai reagoi ndaj disa lajmeve që u publikuan në disa portale se ai ishte shtruar në spital pas një ataku në zemër. “Fatkeqësisht shumë miq u shqetësuan nga lajmi i atakut tim në zemër. Të bësh opozitë duke sajuar lajme të rreme për sëmundje të kundërshtarit tënd, do të thotë ke prekur fundin. Nuk më mbetet gjë tjetër vetëm të mëshiroj ata që realizuan këtë sajesë”.