Kryeministri Edi Rama në një video-mesazh në Facebook ka njoftuar se do të hapen për 24 orë kufijtë vetëm për ata persona që janë rezidentë në Shqipëri dhe kërkojnë të futen në vend, por me një arsye shumë të rëndësishme.
Ai bëri me dije se këta persona që do të pranohen të futen në kufi, do të karantinoren për 14 ditë në një strukturë hoteliere dhe të gjitha shpenzimet e tyre do t’i paguajnë vetë.
Ndërkohë për të gjithë ata që janë rezidentë në shtete të tjera, nuk do të lejohen të futen në Shqipëri.
“Kemi një situatë si vijon, në kufirin e Kakavijës s’ka asnjë problem, ndërsa në Kapshticë kemi 19 makina të personave që janë banorë rezidentë në Greqi, të cilët nuk kanë asnjë urgjencë të posaçme, por kërkojnë të hyjnë për të takuar familjen. Në këtë kohë është e vetmja rrugë që të dekurajojmë plotësisht hyrjen në kufi.
Kush bën patriotin e vajtimtarin për shkeljen e të drejtave të njeriut përmes pagesës që u krijohet njerëzve për të hyrë në atdheun e tyre, thjeshtë synon të nxisë katastrofën”, tha Rama.
Edi Rama akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se është në nxitje të një zinxhiri vdekjesh.
“Është fakt që Sali Berisha do të shkatërrojë edhe një herë Shqipërinë për interesat e tij haluçinante. E solla këtë emër si zanafillën e një procesi skandaloz politik, nxitjeje të rrëmujës, por në këtë rast është nxitje e zinxhirit të vdekjeve. Është e patolerueshme të nxiten njerëzit të vijnë në kufi apo përplasjet me policinë.
Ne kemi vendosur që brenda 24 orëve të hyjmë në një proces të ndërmjetëm dhe kush do të vijë në kufi tokësor me dokumente rezidence në vende të tjera nuk do lejohet të byjë për asnjë arsye. Kush do të vijë për vendime të një arsyeje tjetër do të karantinoret 14 ditë në struktura hoteliere me shpenzime të veta.
Kjo është e vetmja mënyrë që ne mund të mbrojmë popullin tonë dhe familjet e tyre dhe mund të mundësojmë hyrjen për ata që janë vërtetë për një arsye”.