Kryeministri Edi Rama i akordoi sot 11 fëmijëve të parë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.
Kreu i qeverisë pasi shprehu mirënjohjen e thellë për prindërit e tyre që dhanë jetën për mbrojtjen e jetës së të tjerëve tha se statusi nuk është më një zotim, por një risi e veçantë e jetës sonë.
“Ende më shumë duhet bërë dhe ja ku jemi sot në një rast tipik në rastin e dhënies së mbështetjes për fëmijët e heronjve, dëshmorëve, e prindërve të vetëmohuar për një qëllim të lartë, të cilët mbase duhet ta kishin marrë kohë më parë këtë mbështetje dhe e marrin në fillim të mandatit të tretë. Jo për tu justifikuar, por për të nënvizuar faktin dua ta mbyll duke thënë dy gjëra. Së pari qeverisja është një proces nëpërmjet të cilit ne mësojmë çdo ditë, kuptojmë çdo ditë e më thellë dhe ndjejmë çdo ditë e më shumë pulsin e shoqërisë duke u përpjekur që çdo ditë të përmirësohemi dhe të bëjmë edhe më mirë. Së dyti përtej dëshirave tona qëndron gjithmonë muri i pamundësisë të cilin duhet ta shtyjmë çdo ditë me shumë durim dhe me shumë forcë që të zgjerojmë hapësirën e mundësive. Hapësira e mundësive zgjerohet me shumë përpjekje, me shumë durim. Zgjerohet duke punuar pa u lodhur, zgjerohet duke mësuar çdo ditë dhe duke u përpjekur që të vemë në jetë çdo ditë një mësim të ri”, tha Rama.
Statusi “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” u takon të gjithë fëmijëve të dëshmorëve dhe fëmijëve të mjekëve e infermierëve që humbën jetën në luftën me armikun e padukshëm.
Kryeministri Rama tha se Komisioni i Posaçëm që drejtohet nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, vijon me trajtimin e rasteve të tjera.
“Më vjen mirë që programeve tona të mbështetjes për fëmijët u shtohet si një xhevahir plot shkëlqim i një kurore të pasuruar në vite edhe ky status i veçantë. Sot që flasim nga politikat tona sociale përfitojnë afro 140 mijë fëmijë”, tha Rama.
Po ashtu kreu i qeverisë paralajmëroi një politikë të re të qeverisë që do mbështesë nënat me më shumë se 3 fëmijë.
Manastirliu tha se 11 fëmijëve të parë u jepet ky status i posaçëm përfitojnë një paketë të plotë mbështetje, derisa të dalin në jetë e të mund të bëhen të zotët e vetes.
“Pas vlerësimit të kujdesshëm, 11 fëmijëve u jepet statusi “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”, dhe u akordohen përfitimet e statusit, nga trajtimi financiar me mbështetjen çdo muaj me pagën e prindit që ka humbur jetën, përgjatë gjithë viteve të fëmijërisë e deri në moshën 25 vjeç, nëse fëmija ndjek shkollën e lartë. Po kështu do të kenë mbështetje për arsimim, punësim, kujdes shëndetësor dhe mbrojtje sociale”, bëri me dije Manastirliu.
Paketa e mbështetjes për fëmijët në përkujdesje të Republikës parashikon:
– 100 për qind të pagës së prindit për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit që ka humbur jetën, ka vetëm një fëmijë që gëzon statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”,
– 70 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka dy fëmijë të mitur;
– 50 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka tre fëmijë ;
– 40 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka katër fëmijë;
– 30 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka më shumë se katër fëmijë që gëzojnë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.
“Fëmijët në Përkujdesje të Republikës” do të përfitojnë gjithashtu bursën për ndjekjen e arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike dhe tekste shkollore falas. Po kështu përfitojnë bursë të plotë nga fondi i mbështetjes studentore dhe janë të përjashtuar nga tarifa vjetore në institucionet publike të arsimit të lartë. Gëzojnë të drejtën e orientimit profesional falas dhe mbështetje për punësim në administratën publike ose biznesin privat. Komisioni Qendror i ngritur për vlerësimin e dosjeve të profesionistëve të rënë në krye të detyrës, do të mblidhet çdo herë që ka kërkesa për marrjen e këtij statusi.