Aktualitet Rama u përgjigjet pedagogëve: Rrisim pagën 7%

Rama u përgjigjet pedagogëve: Rrisim pagën 7%

Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të mërkurë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës se pagat e pedagogëve do të rriten me 7%. Kreu i qeverisë tha se po ashtu do t’i njihet universitetit e drejta e një tavani për të rritur më tej pagat e pedagogëve sipas vendimmarrjes së tyre.

Ky vendim i qeverisë vjen pas protestave të pedagogëve për rritje pagash. Por Rama tha se universiteti është autonom. Kryeministri ndër të tjera tha se në botën akademike nuk paguhen të gjithë njësoj. Sipas tij, pedagogët kanë mundësinë që përmes fondeve europiane të dyfishojnë rrogën e tyre.

“Dhe atyre që dalin në rrugë dhe le të dalin se janë në të drejtën e tyre s’ka asnjë problem dhe që kërkojnë rritje pagash opshe në emër të të gjithë pedagogëve ju them që nuk jeni mësues, as mësues gjimnazi, as mësues 9-vjeçareje. Nuk jeni as mjekë, as infermierë në shërbimin shëndetësor publik. Nuk jeni as punonjës policie, nuk jeni as ushtarakë, nuk jeni as nëpunës civilë, s’jeni as pensionistë, jo e jo. Të gjithë këta marrin një pagë apo pension fiks. Ndërkohë që pedagogët janë në një hapësirë të ndërmjetme mes mbështetjes shtetërore dhe horizontit ku mjafton të duash dhe ia bën vetes rrogën edhe dyfish, edhe trefish edhe katër edhe pesë me fondet e tjera. Cilat janë fondet e tjera? Janë fondet e vetëfinancimit, janë fondet europiane, janë dhe fondet e universiteteve të tjera private ku shkohet bëhet dhe mësim. Këtu nuk dua të thellohem se këtu ka një histori tjetër, të pagave të deklaruara pjesërisht. Kemi paga që nuk përkojnë me të vërtetën, por kjo është temë tjetër. Nuk e kam për të ngritur problemin, e kam për të thënë se sa shumë potencial ka universiteti. Këtu ka një fakt. Përpara se të futeshim në procesin e ndërkombëtarizimit dhe përpara se sa lidershipi i Universitetit të Tiranës të ndryshonte ne kishim 45 pedagogë që kishin pasur një akses në fondet europiane me projekte. E dini sa kemi sot? Universiteti i Tiranës ka rreth 800 pedagogë. Janë mbi 400 që kanë financim ekstra falë meritës së tyre, falë punës së tyre, falë angazhimit brenda për brenda strukturës dhe falë faktit që nga ne e nisën këtë fazë tjetër pas zgjedhjes së rektorëve të rinj me fondet europiane. Kemi bërë një kapërcim të madh. Mund të marrin akoma shumë më tepër, por ama ishim të fundit në fund të pusit. Sot nuk jemi ndër të parët, por ama jemi duke hedhur hapa falë angazhimit të pedagogëve, rektorëve, dekanëve. Kështu që ne do të bëjmë një rritje një rritje pagash, të mërkurën a të enjten kur është mbledhja e qeverisë prej 7%, por ama do t’i njohim universitetit të drejtën e një tavani për të rritur më tej pagat e pedagogëve sipas vendimmarrjes së vet. S’mund të ketë për botën akademikë një pagë opshe, të gjithë njësoj. Nuk janë të gjithë njësoj. Ata të tjerët po. Universiteti jo. Është autonom. Jeton dhe punon dhe zhvillohet në një hapësirë të ndërmjetme mes shtetit si mbështetës dhe tregut si ofertues”, tha Rama.

Ndërkohë po ditën e sotme, në Universitetin Politeknik të Tiranës pati një protestë nga ana e pedagogëve.

Ata kërkojnë që të plotësohen kërkesat e tyre. Në të kundërt u shprehën se nuk do të hyjnë në auditore. Pedagogët kërkojnë që arsimi i lartë të shihet si prioritet në Shqipëri.