Vlerësohet me çmim për afganët, Rama: Nuk është heroizëm të mos u kthesh kurrizin njerëzve që rrezikojnë të vdesin
Kryeministri Edi Rama u vlerësua këtë të martë me çmimin “Vital Voices Global”, në një ceremoni të zhvilluar në New York. Çmimi iu dorëzua nga një prej themelueseve të kësaj organizate, ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton. Ky çmim kryeministrit shqiptar iu dha për vendimin për t’i hapur dyert emigrantëve afganë. Teksa e quajti këtë një nderim të jashtëzakonshëm, Rama tha se nuk është heroizëm të mos u kthesh kurrizin njerëzve që rrezikojnë të vdesin.
“Përpara se them ato që duhet të them, dua t’ju tregoj që sipas Vital Voice (zëri jetik) në familjen time, gruas time Linda modestia nuk është pika e ime e fortë. Kështu që kur më dëgjoni që ju them se ndihem jo vetëm i përulur, por edhe i sekëlldisur, për këtë nderim të jashtëzakonshëm që më bëhet. E mendoj vërtetë kështu, sepse më duket një shenjë mjaft alarmuese për botën që jetojmë, kjo dëshirë e madhe për të vlerësuar një gjykim bazik të arsyeshëm.
Përpara se të mbërrinte Sekretarja Klinton, “hija” që e ndjek nga pas, hije fort e bukur meqë ra fjala, Huma Abedin më takoi dhe më tha “ti je hero”. Sigurisht të vjen mirë të dëgjosh fjalë të tilla, nga një grua aq e mrekullueshme, por nuk jam hero. Nuk është kurrëfarë heroizmi të mos u kthesh kurrizin njerëzve që rrezikojnë të vdesin”.
Rama u tregon amerikanëve që në Shqipëri ka djem që quhen BillKlinton, salla “shpërthen” në të qeshura
Në fjalën e tij, Rama u tha amerikanëve se në Shqipëri është nder i madh nëse quhesh Klinton dhe madje tregoi se ka djem që quhen BillKlinton. Pas kësaj deklarate të kryeministrit të vendit, salla ka shpërthyer në të qeshura.
“Kur të gjitha gratë në listë ishin shpëtuar e vendosur në Shqipëri, më telefonoi dhe sigurisht ishte nder shumë i madh sepse duhet ta dini që nëse quhesh Klinton në Shqipëri apo mes shqiptarëve, kjo është diçka shumë speciale që lidhet me çlirimin e gjysmës së kombit tonë, Kosovës. E meqë ra fjala, është i vetmi vend mbi këtë tokë, ku sot ka njerëz, djem, që e kanë emrin Klinton – emrin, jo mbiemrin. Madje ka edhe djem që quhen Billklinton. Kështu e kanë thjesht emrin, si të themi, Billklinton Rama dhe të gjithë këta djem që sot janë rritur, ishin bebe të sapolindura në kohën kur falë Presidentit Klinton, Zonjës së Parë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara asokohe, ai popull u çlirua nga një regjim, i cili u përpoq ta spastronte etnikisht që të gjithin”, u shpreh Rama.
Gratë në qeveri, Rama: Nëse do që të kryesh punë mos humb kohë me burrat
Ishte ish-kandidatja për Presidente e SHBA-së, Hillary Clinton që e falenderoi Ramën për udhëheqjen e tij, ndërsa vlerësoi edhe vendimin e tij për të pasur një kabinet qeveritar me më shumë gra.
Sa i përket kësaj çështje, kryeministri Edi Rama tha se ka ndjekur këshillë e “zonjës së hekurt” Margaret Thatcher. Janë gratë sipas kryeministrit që i bëjnë punët, ndërsa meshkujt janë gati për “muhabet”.
“Ndërsa për gratë në qeveri dhe kjo është shumë e thjeshtë. Nuk kam pse marr lëvdata për këtë sepse e kam bërë duke ndjekur këshillën e “zonjës së hekurt”, Margaret Thatcher. Ajo thoshte nëse do që diçka të thuhet kërkoja një burri, nëse do që diçka të bëhet, kërkoja një gruaje. Ajo nuk zgjodhi asnjë grua për qeverinë e vet ndoshta sepse ishte aty vetë sa për çdo grua. Mua nuk më dilte hesapi kështu që m’u desh të zgjidhja shumë gra për të bërë punën, jo sepse jam i veçantë. Di nga përvoja që nëse do muhabet për diçka, burrat janë gati dhe mund të flasin e të flasin pa mbarim, por nëse do që të kryesh punë, mos humb kohë me burrat. Kjo është këshilla ime modeste”, tha Rama.
Batutat e kreut të qeverisë shkaktuan të qeshura mes të pranishmëve. Ai ishte i shoqëruar në këtë ceremoni nga bashkëshortja, Linda dhe djali i vogël, Zaho.
Vital Voices Global është një organizatë ndërkombëtare, jo fitimprurëse, jo qeveritare, e themeluar në SHBA nga Hillary Clinton, Melanne Verveer, Madeleine Albright.