Kryesore Rama: Ura mbi Bunë shkurton distancën në 300 metra mes Shqipërisë dhe...

Rama: Ura mbi Bunë shkurton distancën në 300 metra mes Shqipërisë dhe Malit të Zi

Një nga marrëveshjet e nënshkruara mes Shqipërisë dhe Malit të Zi në mbledhjen e përbashkët mes qeverive që u mbajt në Podgoricë, është edhe ndërtimi i Urës së Bunës.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Abazoviç, deklaroi se ura do të ndërtohet me fondet e dy shteteve.

Kjo urë, theksoi Rama, do të shkurtojë në 300 metra distancën mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

“Ura mbi Bunë do ta kthejë distancën mes Malit të Zi dhe Shqipërisë në 300 metra nga dhjetëra e dhjetëra kilometra. Kjo është një marrëveshje jetësimi e bazuar në projektin e zbatimit që është realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Projektin e kemi realizuar me fondet tona, tani me fonde të përbashkëta do bëjmë urën”.

Rama foli edhe për projektet e tjera të përbashkëta mes Shqipërisë e Malit të Zi.

“Lajmi tjetër shumë i mirë është që ka filluar puna për konsorciumin mes Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjes dhe Kroacisë për gazsjellësin Adriatiko-Jonian, i cili duhet të përshpejtohet dhe mund të përshpejtohet vetëm përmes ndërveprimit sepse është një vepër që kalon në disa kufij.

E treta është dakordësia për të fuqizuar më tutje bashkëpunimin në aspektin e thithjes së fondeve në aspektet ndërkufitare dhe për të sinkronizuar punën për hekurudhën dhe Korridorin Blu”.

Po kështu, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se do të punohet edhe për të hapur lundrimin mes dy shteteve.

“E fundit është që ky potencial bazohet në një histori kuptimplotë me Shqipërisë dhe Malit të Zi ku e kam thënë dhe njëherë, deri në vitin 1945 lëvizje përmes liqenit dhe në arkivën e fotografive ka plot fotografi për mjete lundruese dhe një nga rrëfimet e gjyshes time ishte ky që në Mal të Zi shkohej përmes liqenit me lundrim. Sot ne ende nuk e kemi këtë dhe prandaj kemi vendosur ta hapim rrugën me një jaht të Kryeministrit të Malit të Zi i cili në qoftë se na mban të dyve do jetë jaht i denjë për të kaluar nga njëra anë në tjetrën dhe për të lajmëruar që hapet lundrimi por pasi të bëjmë disa detyra shtëpie që kanë të bëjnë me thellimin në disa pika të lumit”, u shpreh Rama.