Nisi këtë të diel në Tiranë procesi i vaksinimit të personave mbi 80 vjeç, me disa nga personalitetet e shoqërisë shqiptare. Gjatë vizitës në “Air Albania”, ku takoi disa prej figurave të artit, por jo vetëm, si Alfred Moisiu, Margarita Xhepa dhe Piro Milkani, Rama sulmoi edhe një herë presidentin Meta.
“Fakti që vaksinimi nis me një numër shumë modest, me persona që i kanë dhënë kaq shumë shoqërisë, është një shprehje e mirëkuptueshme e një përkujdesjeje për këta njerëz, për të cilët nuk duhet të presim që të ndahen nga jeta për t’i dhënë dekorata, siç është bërë një trend qesharak në Presidencën e Republikës. Nga an tjetër sigurisht që këtu nuk bëhet fjalë për asnjë lloj diferencimi apo diskriminimi të askujt, sepse këta i përkasin kësaj kategorie”, tha Rama.
“Do të vijojmë me më të moshuarit dhe me kategoritë e tjera, duke u bazuar me dozat që do të kemi në dispozicion. Do të plotësojmë të gjithë vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve. Ndërkohë po punojmë për të garantuar më shumë doza më shpejt”.
Rama tha se vështirësia për sigurimin e dozave është tepër e madhe. “Ju e shihni çfarë bëhet në botë. Ka ende 140 shtete që nuk kanë marrë asnjë dozë, lufta për të siguruar doza është nga të katërta anët. Ne besojmë se do ta realizojmë skenarin më ambicioz, të mbyllim vaksinimin brenda 14 muajve. Atyre që thonë shkoni merrini nga Kina dhe Rusia, nuk kanë nxjerrë tezgat as në Kinë, as në Rusi, dhe o burra kush shkon t’i marrë. Ka shumë propagandë, por e vërteta është se vaksina nuk ka”.