Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu kanë parë nga afër procesi ne vaksinimit të mësuesve në Durrës. Nga një shkollë ku po vaksinoheshin mësuesit, Rama u shpreh se askush nuk duhet të ketë frikë, pasi vaksina e AstraZeneca është e sigurtë.
Epidemiologia Silva Bino që është dhe mbikëqyrëse e procesit të vaksinimit ka treguar se disa mësues kanë pasur hezitim që të marrin vaksinën.
“Që nga e shtuna dhe deri tani procesi ka ecur mirë edhe pse ka pasur një lloj hezitimi, pas lajmeve që kanë dalë në media”, u shpreh ajo.
Ndërkohë Rama më tej deklaroi se do të pritet një konfirmim nga OBSH dhe EMA për të vendosur nëse do të ndërpritet vaksinimi me AstraZeneca.
“Nuk kanë faj njerëzit që njerëzit të shqetësohet nga lloj-lloj lajmesh, nga lëvizje që kanë 1001 e një arsye, kjo është luftë e madhe për jetën, por dhe luftë e madhe tregtare. Shumë vende nuk e kanë ndërprerë vaksinimin dhe nuk mund të ndalohet vaksinimi thjesht për një dyshim që lidhet me një seri tjetër. Edhe ato që kanë bërë pezullimin presin një konfirmim nga EMA dhe OBSH. Nëse do thonë ndalojeni ne do ta ndalojmë. Unë fola me Londrën dhe aty po vaksinohen miliona qytetarë dhe ka dhënë konfirmimin për vazhdimin”, tha Rama.
Po ashtu u ka bërë thirrje mësuesve që të mos shqetësohet pasi vaksina është e sigurtë.