Kryeministri Edi Rama tha se vaksinimi mund të bëhet i detyrueshëm për studentët, nëse duan të ndjekin mësimin në universitet.
Gjatë një inspektimi në Rezidencën Studentore Universitare nr. 2, kryeministri tha që nëse nuk duan të vaksinohen, atëherë duhet të rrinë jashtë ndërveprimit në auditorë, për sa kohe është virusi nëpër këmbë.
“Pedagogët dhe studentët që hyjnë në auditor kanë përgjegjësi edhe për të tjerët. Askush nuk ia ka borxh askujt të shkojë në spital se dikush thotë “s’du”. Mund të mos e bësh, por rri jashtë, nuk futesh dot në auditor. Patjetër që mund të vijë momenti që për disa kategori të bëhet e detyrueshme edhe këtu. Sepse tjetër gjë është dikush që është në shtëpinë e vet, por kush ka punë që lidhet me njerëz të tjerë nuk mund të thotë s’dua. Nëse nuk do, të tërhiqet nga ndërveprimi me të tjerët për aq kohë sa është virusi vërdallë”.
“Vaksinimi i studentëve është një domosdoshmëri për ecurinë normale të këtij viti të ri akademik, kur bota po përballet me shenjat shqetësuese të një vale të tretë infeksioni, për shkak të variantit Delta të koronavirusit, prandaj të gjithë studentët duhet të mbajnë qysh sot parasysh, se në varësi të numrave epidemiologjikë, vaksinimi mund të kthehet i detyruar për këdo që hyn në auditorë”, tha Rama.