Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të mërkurë se shpallja e Vjosës si Park Kombëtar ka qenë vizion i qeverisë që ai drejton dhe nuk ka qenë asnjëherë hezitues për këtë gjë.
Ai u shpreh se kushdo që i kërkon llogari Shqipërisë për mënyrën si mbrohet natyra, duhet të marrë si shembull Parkun Kombëtar të Vjosës.
E këtu theksoi se vendimi që ka marrë ka qenë një nga më të mëdhatë, më të guximshmit e më të rëndësishmit për të ardhmen që mund të merrte një qeveri.
“Cilido që do të jetë përballë nesh për të na treguar si mbrohet natyra, si duhet të jemi të vetëdijshëm për mbrojtjen e natyrës, se si nuk duhet të prekim asgjë rreth e rrotull, ne do t’i kujtojmë Parkun Kombëtar të Vjosës. Është një nga vendimet më të mëdha, më të guximshme dhe më të rëndësishme për të ardhmen që një qeveri mund të merrte. Nuk është e rastit që edhe në forumin global si ai në Montreali, ky ishin mbledhur shtete më të mëdha dhe më tepër resurse se sa Shqipëria dhe me shumë më tepër natyrë për të mbrojtur se sa Shqipëria ky vendim është konsideruar si një vendim realisht i fortë dhe i admirueshëm për këtë. Por të admirosh këtë vendim duke parë Shqipërinë nga larg dhe duke u kujtuar vetëm për zogjtë, për peshqit dhe për lulet, pa patur parasysh komunitete dhe njerëz dhe familje, të rinj e të reja që duhet të kenë perspektivë ekonomike në gjithë atë territor dhe duhet të kenë arsye për ta parë të ardhmen e tyre në atë territor është shumë e lehtë. Ndërsa ta shohësh të parën duke mos e harruar kurrë të dytën është sfidë më vete, dhe jemi të gatshëm ta përballim”, u shpreh Rama.
Teksa ditën e sotme prezantohen idetë finaliste për Parkun Kombëtar të Vjosës, Rama theksoi se i hap rrugë konservimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të Parkut Kombëtar. Sipas tij, të gjithë njerëzit që jetojnë do t’u hapet një shteg perspektive për të ardhmen.
“Dua t’ju them të gjithëve se kam bindjen e plotë se ky projekt që do të fillojë të materializohet menjëherë pas përzgjedhjes së fituesit do të jetë projekti që do të hapë edhe atë shteg të perspektivës së të ardhmes jo vetëm për peshqit, zogjtë dhe lulet, por edhe për njerëzit, mbi të gjitha vajzat dhe djemtë që rriten në mes të kësaj mrekullie të natyrës, por nuk mund të jetojnë vetëm duke parë natyrën, por kanë nevojë që të gjejnë të gjitha arsyet që jetën e tyre ta ndërtojnë në atë zonë duke pasur mundësinë që të jetojnë po aq mirë sa vetë Vjosa, të mbrojtur, të mbështetur dhe të financuar nga aktiviteti i tyre ekonomik e social”, tha Rama.
Kujtojmë se sot prezantohen tre idetë finaliste të Konkursit Ndërkombëtar të Qendrës Multifunksionale dhe Stacioneve të Informimit për Parkun Kombëtar të Vjosës.
Në garë janë projektet: Casanova+Hernandez Architecten, Roterdam, Hollandë
CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO, Kopenhagën, Danimarkë
Ensamble Studio, Madrid, Spanjë