Politika Rama vlerëson Ballën: Policia është sot në formën e vet më të...

Rama vlerëson Ballën: Policia është sot në formën e vet më të mirë që ka qenë ndonjëherë

??????????

Pas deklaratës së ministrit të Brendshëm Balla se çdo punonjës policie që do të rezultojë si përdorues i aplikacioneve të kriptuara SKY Ecc apo Encrochat do të përjashtohet nga radhët e Policisë, edhe në rast se nuk është përfshirë në aktivitete kriminale, tashmë ka nisur një proces verifikimesh nga strukturat e specializuara të krimit kibernetik.

Kjo çështje është trajtuar gjerësisht edhe nga media dhe analistë të ndryshëm, të cilët kanë drejtuar gishtin ndaj strukturave policore, nisur nga disa raste të bujshme të zbuluara ky drejtues policie, por edhe prokurorë, komunikonin me individë në ndjekje penale, me qëllim për t’i ndihmuar që t’i shpëtojnë drejtësisë.

E njëjta temë u trajtua me një frymë tendencioze mbrëmë në emisionin “Opinion” ku ishte i ftuar kryeministri Rama, të cilit i servirën të gatshme një akuzë që pretendonte se “policia është e kalbur” edhe për shkak të përfshirjes së disa punonjësve në veprimtari kriminale, të dala nga përgjimet e bëra nga partnerët, specifikisht nga përgjimet e SKY Ecc.

Rama, i gjendur para kësaj akuze u shpreh se: “Përgjimet nuk tregojnë asnjë kalbje. Përgjimet, në rast se nxjerrin policë, e të tjerë, që merren me këtë, tregojnë vetëm një gjë, shumë të thjeshtë, që duhet vazhduar pastrimi brenda për brenda strukturave, po të jetë”.

Lidhur me këtë argument, Rama iu referua shifra të luftës kundër krimit për vitin 2023.

“Kalbjen apo formën e Policisë së Shtetit nuk e tregojnë përgjimet. Kalbjen apo formën e Policisë së Shtetit e tregon fakti që sot Shqipëria, në vitin 2023 ka shifrën më të ulët historike të kriminalitetit, të vrasjeve. Dhe jo të vrasjeve në raport me vitin e kaluar, apo me vitet e tjera se atë e kemi pas çdo vit, por është gjysëm për gjysëm, edhe më shumë”.

Statistikat e deritanishme tregojnë se numri i vrasjeve për vitin 2023 është në shifrat më të ulëta ndonjëherë, pra, siç thotë Rama, 50% më të ulëta se mesatarja e viteve të fundit.

Duke trajtuar akuzat ndaj Policisë së Shtetit, Rama solli në vëmendje të publikut reagimet e turistëve të huaj që kanë vizituar këtë vit vendin tonë.

“Atë, është në formë policia apo është e kalbur, e tregon fakti që të gjithë turistët që vijnë këtu, gjëja e parë që thonë: këtu ka siguri!”

Sa i përket gjendjes së policisë apo mundësisë së korrupsionit në radhët e saj, Rama thekoi se “Policë të korruptuar, policë të lidhur me banda, policë të lidhur me krimin ka në të gjithë botën. Ka më shumë këtu, ka më pak këtu, janë më shumë atje, kjo është një çështje tjetër. Por ama rëndësi ka një gjë tjetër, shumë e rëndësishme që policia është sot në formën e vet më të mirë që ka qenë ndonjëherë. S’ka pas ndonjëherë polici siç është sot, dhe, nga ana tjetër, që edhe kalbësia brenda organizmit të policisë, do të vazhdojë të luftohet deri në fund.”

I pyetur nëse i kishte parë përgjimet që kanë dalë nga zbardhja ose nga thyerja e aplikacionit Sky, Rama u shpreh se nuk i interesojnë.

“Nuk merrem me këtë gjë. Unë nuk merrem fare me përgjime. Me përgjime merren të tjerë, janë detyrë e të tjerëve”, tha Rama.