Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet në rrugën e Lumit të Vlorës, e cila së bashku me rrugët e fshatrave do të jetë rreth 100 km.
Në fjalën e tij Rama kujtoi sërish mallkimet që mori që në ditët e para në detyrë, për mosmbajtjen e premtimit.
Rama tha me ironi se vlonjatët janë të paduruar në gen, por nuk kanë faj pasi kanë pritur 25 vjet.
Deklarata e Ramës
Më vinin komentet nga vlonjatët dhe më thoshin ‘do të të bëhet kocka në fyt’, ku e ke rrugën e lumit të Vlorës.
Ma kërkonin që ditën e parë. Kjo rrugë e re afro 100 km që do sjellë transformimin e gjithë zonës. Është një rrugë që do ti japë një shtysë të madhe turizmit dhe zhvillimit rural. Ne e nisëm punën me rrugë të lëna rrugëve nga ai që prapë në rrugë është dhe me një mal borxhesh për shirita të prerë lart e poshtë nëpër Shqipëri. Në kushtet kur na u desh që ti lanim të gjitha borxhet kompanive, na u desh njëkohësisht për të siguruar këtë financim.
Padurimi juaj gjenetik duhet të trajtohet me shumë respekt nga ana ime dhe nga ana jonë por edhe ju vetë duhet të kuptoni që punët nuk bëhen sa hap e mbyll sytë. Ja ku jemi sot këtu për ti hapur rrugë këtij projekti. Në projekt përfshihen edhe lidhjet e fshatrave me rrugën e lumit të Vlorës. Është një projekt i cili në harkun e 2-3 viteve do sjellë një transformim të madh infrastrukturor dhe do hapë një rrugën e një transformimi të rëndësishëm ekonomik dhe social.
Dua të falënderoj një mik që ka qenë një nxitje, Mezan Malaj dhe që ditën e parë dhe sa herë jemi takuar dhe sa herë unë kam harruar më ka kujtuar për rrugën e lumit. Rol të rëndësishëm kanë pasur edhe deputetët. Jam shumë i vetëdijshëm për mërzitjen dhe padurimin e njerëzve në Vlorë që lidhet me shumë vite pritje. Por mos harrojmë se nuk mund të bëjmë dot në tre e pak vjet gjithçka për të rindërtuar dhe ndërtuar një zonë dhe një territor që kaq shumë është lënë pas dore. Vlora është një nga zonat ku po bëhen investime që nuk janë bërë në 25 vite të marra së bashku. Unë ju siguroj që transformimi që po bëjmë përmes këtyre projekteve do të jetë i prekshëm.