Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje shqiptarëve në Malin e Zi që në zgjedhjet e 30 Gushtit të dalin dhe të votojnë listën shqiptare.
“Të mos e lini pa e shfrytëzuar të drejtën tuaj dhe të mbështesni fuqimisht listën shqiptare. Ajo listë nuk është thjeshtë një mbledhje partish shqiptare, por lidh për herë të parë Malësinë dhe Ulqinin për të mbështetur njëri-tjetrin”, tha Rama, i cili shtoi se pesha e shqiptarëve në këto zgjedhje nuk është e vogël.
Sipas kryeministrit, mbështetje ndaj listës shqiptare është forcim i partneritetit strategjik me presidentin Gjukanoviç, me të cilin mund të realizohen akoma dhe më shumë gjëra për shqiptarët.
“Përfshihuni për të mbështetur listën shqiptare dhe për të mbrojtur dhe forcuar partneritetin strategjik me Presidentin Gjukanoviç për një Mal të Zi europian dhe demokratik. Si tjetër mund të arrihet pa atë partneritet strategjik që ju tanimë e keni ndërtuar. E di që keni kritika për partinë në pushtet dhe liderin e saj, por që të vazhdoni të kritikoni dhe ndërkohë të keni mundësinë të realizoni edhe më shumë akoma votoni listën shqiptare”.
Kryeministri Rama nuk e ka kursyer më herët mbështetjen për Milo Gjukanoviçin.
Rama shfaqej në një videomesazh duke bërë fushatë për Presidentin malazez ku në gjuhën serbe thoshte “Me vendosmëri për Malin e Zi”, që është edhe slogani i socialistëve malazezë.