Kryeministri Edi Rama ka zbuluar të tjera detaje nga bisedimet që po zhvillon në Turqi. Në një postim në mediat sociale, teksa ka publikuar foto nga takimet, shkruan se po bisedohet për ndërtimin e një fabrike që do të prodhojë 7 lloje vaksinash.
Po ashtu në projektet që po diskutohet është edhe Teknopark Albania, si dhe ndërtimin e sistemit të kontrollit të territorit të vendit me dronë superinteligjentë.
“Ditë bashkëbisedimesh të detajuara me sipërmarrje të ekselencës turke për: Ndërtimin e fabrikës së 7 llojeve të vaksinave, si zemra e një qendre të klasit të parë të prodhimit farmaceutik;
Teknopark Albania, një qendër e teknologjisë së lartë në periferi të kryeqytetit, për kompanitë HighTech, Start Up-et e kërkimin shkencor, sipas modelit të suksesshëm të jetësuar në Turqi, si katalizator i transformimit ekonomik e social dhe krijimit të vendeve cilësore të punës për të rinjtë;
Sistemin e kontrollit të territorit të vendit me dronë superinteligjentë, për prodhimin e të dhënave në kohë reale mbi rrugët, bregdetin, tokën bujqësore, pyjet, rendin publik natyrisht e të tjera akoma“, shkruan Rama.
Më tej në reagimin e tij Kryeministri bën me dije se mandati i tretë do të jetë për ndërtimin e infrastrukturës kombëtare.