Zyrtarja e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit, Ndihmës Sekretarja për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike Karen Donfried ka zhvilluar një takim me Kryeministrin Edi Rama në kuadër të turit të saj ballkanik.
Takimi mes tyre nisi rreth orës 09:00 dhe zgjati gati 90 minuta.
“Me Ndihmës/Sekretaren Amerikane të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Karen Donfrie. Diskutuam gjerësisht për ecurinë pozitive të reformave, forcimin e drejtësisë, investimet strategjike në energji, veton e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, situatën në rajon, si edhe për mbështetjen e plotë që Shtetet e Bashkuara i japin Ballkanit të Hapur. Konsideratat e Ndihmës/Sekretares për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe në rajonin tonë ishin mbresëlënëse“, ka shkruar kryeministri Rama.
Zyrtarja amerikane shoqërohej nga ambasadorja e SHBA në vendin tonë, Yuri Kim si dhe nga i deleguari i SHBA për Ballkanin, Gabriel Escobar.
Pas takimit me Ramën, Karen Donfried takoi edhe kreun e grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeajn së bashku me deputetët demokratë Jorida Tabaku e Gazment Bardhi.