Kryeministri Edi Rama, në një takim me Policinë e Shtetit mbi buxhetin e vitit 2022, tregoi se si do të përfitojë ky institucion nga sateliti i parë i lëshuar në orbitë.
“Keni dëgjuar dhe keni parë shumë gallatë me satelitët. Nuk ka gjë të keqe që njerëzit të qeshin, sepse shëndet është e qeshura. Por, me satelitin e parë që do të hedhim në muajin Mars, do të kemi të dhëna në kohë reale përditë dhe policia nuk do të jetë më e varur nga fakti sa mirë e bëjnë punën në terren punonjësit e policisë, por do të varet vetëm nga mbledhja e të dhënave”, tha Rama.
Kryeministri shtoi: “Po ashtu, policia do të ketë të dhëna në kohë reale për atë që është lufta e përbashkët: ndotja e mjedisit. Vendgrumbullimet e paligjshme të plehrave janë krime mjedisore dhe polici është përgjegjës që në territorin ku ai vepron t’i identifikojë vendndodhjet e skenave të krimit, por edhe protagonistët e këtyre krimeve. Është e patolerueshme që në Pyllin e Sodës të mbushet një sipërfaqe me 3000 metra katrorë zhavorr dhe policia as të mos shikojë dhe as të mos dëgjojë asgjë”.