Pas hedhjes së shortit të Euro 2024, që e vë Shqipërinë përballë emrave të mëdhenj, si Spanja, Italia dhe Kroacia, protagonistët kuqezi po japin opinionet e tyre. Nuk diskutohet vështirësia e madhe për kalimin e grupit, por ka besim se mund të bëhet një surprizë e radhës.
Ylber Ramadani, në një prononcim për fshf.org, pohon se nuk është e pamundur që Shqipëria të bëjë atë që ka bërë ndaj Polonisë dhe Çekisë në eliminatore. Ai beson te një mrekulli kuqezi në Gjermani.
“Një grup i vështirë me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë, por shkojmë në Gjermani të tentojmë të bëjmë befasinë. Do të shkojmë atje të tregojmë nivelin e skuadrës tonë. Edhe në kualifikuese kishim ekipe të vështira, si Çekia dhe Polonia. Do të bëjmë maksimumin për rezultate pozitive. Nuk dorëzohemi lehtë. Mund të bëjmë mrekullinë në Gjermani”, – ka thënë mesfushori kuqezi, që luan për Leçen në Serinë A.