Sport Ramsey mesazh Sarrit që në prezantim: Jam qendra e lojës, pse zgjodha...

Ramsey mesazh Sarrit që në prezantim: Jam qendra e lojës, pse zgjodha 8-ën e Marchisios

Juventusi ka prezantuar zyrtarisht afrimin më të fundit, Aron Ramsey. Futbollisti anglez la Arsenalin për t’u transferuar te kampionët e Italisë. Ai është një afrim shumë i goditur, pasi nuk i ka kushtuar para “Zonjës së Vjetër”.

Ramsey do të marrë numrin 8, një fanellë legjendare për bardhezinjtë. “Princi i Torinos”, Claudio Marchisio, e ka mbajtur mbi shpinë këtë numër.

Ramsey në bisedën e tij e pranoi këtë sfidë dhe shpreson që të bëjë po aq mirë sa Marchisio. “Doja numrin 8 dhe në momentin që e kuptova se është i lirë e mora. E di që i përket një legjende si Marchisio, nëse bëj po aq mirë sa ai do të isha shumë krenar.

Jam i lumtur që jam këtu. Në momentin që e mora vesh se më donin nuk hezitova. Ishte si një ëndërr e kthyer në realitet“, – tha ai ndër të tjera.

GJENDJA

“Kam pasur një dëmtim, por po bëj progres në riaftësim. Po punoj fort që të jem gati sa më shpejt. Nuk është larg dita kur do jem gati të bëj një seancë të plotë stërvitore. Nuk e di nëse do jem gati për turneun e ekipit, do e vendosim në ditët në vijim. Por, kam besim duke parë gjendjen që po kaloj”.

JUVENTUS

“Kur mora vesh se Juventusi më kërkonte, menjëherë mendova mundësinë që do kem të luaj në një nga klubet më të rëndësishme në botë, dhe kjo ka qenë një ëndërr për mua. Kjo është edhe një sfidë për mua. Këtu është edhe një kulturë tjetër dhe lloj tjetër futbolli. E di që do jetë sfidues dhe e vështirë, por me zor po pres të luaj”.

AMBIENTI

“Skuadra më ka pritur mjaft mirë, kam folur edhe me Sarrin disa herë. Është lloji i trajnerit me të cilin mund të flasësh për çdo gjë. Me zor po pres të jap ndihmën time për të arritur objektivat që i kemi vënë vetes”.

GOLA E ASIST

“Unë jam një lojtar që dëshiroj të jem në qendër të lojës. Të shënoj apo të jap një asist, për mua është njësoj, e rëndësishme është që në fund skuadra të shënojë. Më pëlqen të jem afër zonës, mund edhe të mbroj mjaft mirë, por më mirë të jem afër portës. Do flas me Sarrin për të kuptuar rolin tim dhe kontributin që do jap në ekip”.

NUMRI 8

“E mora numrin 8, e kam pasur dhe te Arsenali. Këtu ishte i lirë, dhe e mora. E di që më parë e ka pasur Marchisio, një lojtar fenomenal që është rritur këtu dhe ka pasur një karrierë të pabesueshme. Dua të bëj edhe unë atë që bëri ai me Juven, do ishte fantastike. Jam gati për përgjegjësi”.

LOJA

“Sigurisht që më pëlqen të fitojmë, kur edhe ekipi bën lojë të bukur, por ka edhe mënyra të tjera për të fituar. Dua të fitoj, dhe ndonjëherë arrihet loja e bukur, ndonjëherë jo. Qëllimi duhet të jetë që në fund të fitojmë”.

SARRI

“E di që Sarri bën një lojë të bukur, e kam parë edhe vjet. Ka bërë një sezon mjaft të mirë me Çelsin, fitoi edhe një finale”.