Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka përjashtuar mundësinë që të jetë një nga kandidatët e mundshëm për t’u zgjedhur Presidenti i Shqipërisë.
Haradinaj e cilëson ‘shpifje’ lajmin se ai është një nga kandidatët e mundshëm për të zëvendësuar Ilir Metën në përfundim të mandatit.
“Po e shoh që po bëhet fushatë nga gazetarët e shitur, nga mercenarët e mediave, në Tiranë e në Prishtinë, sikur unë qenkam në kombinim për President të Republikës së Shqipërisë. Kjo është një shpifje ordinere, e ulët, e pistë dhe për hesap të kuzhinave që janë edhe kundër Shqipërisë, edhe kundër Kosovës, edhe kundër meje. Për popullin tim të dashur shqiptar, unë jam në Kosovë, do të jem në Kosovë dhe edhe politikisht do të realizohem në Kosovë. Shqipëria i ka njerëzit e saj, që di t’i vendosë në krye të shtetit. Me Kosovën e Shqipërinë e kundër matrapazëve mediatikë e të opinionit publik!”, shkruan Haradinaj në rrjetet sociale.
Aludimet për një kandidim të mundshëm të Haradinajt për president në Shqipëri, janë nxitur mediat pranë ish-kryeministrit Sali Berisha për shkak të takimit të tij me kryeministrin Edi Rama në Tiranë si dhe fakti që mban nënshtetësinë shqiptare.
Haradinaj, tre ditë më parë, gjatë qëndrimit në Tiranë zhvilloi një takim Ramën, me të cilin deri para pak kohësh kishte një marrëdhënie të tensionuar.