Kryesore Ramush Haradinaj sulmon Edi Ramën: Merru me Shqipërinë, ke probleme boll

Ramush Haradinaj sulmon Edi Ramën: Merru me Shqipërinë, ke probleme boll

Deklaratës së Edi Ramës, se ishte Ramush Haradinaj ai që shpiku çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, kryeministri i Kosovës, iu përgjigj duke thënë se Rama duhet të merret me shpikjet brenda Shqipërisë.

“Urime pavarësia e Kosovës të gjithë shqiptarëve. Edi Rama nuk ka çfarë të flasë për shpikjet politike në Kosovë! Le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Rama sot tha se Demarkacioni duhet të ishte votuar me kohë, pasi nuk ishte asgjë tjetër përveçse një ide e shpikur nga politika e brendshme e Kosovës, që rrezikoi edhe të ardhmen euro–atlantike të këtij vendi.

“Unë kam preferuar gjithmonë që debatet me miqtë e mirë këtu në Prishtinë t’i bëj në mënyrë diskrete, sy me sy, por çështja e demarkacionit u kthye dhe është sot e gjithë ditën në një gur që rëndon mbi qafën e Kosovës dhe që ka krijuar një pështjellim jo të vogël, në mes atyre që janë fuqia që lindi shtetin e Kosovës, partnerët strategjikë ndërkombëtarë të shqiptarëve”, u shpreh Edi Rama në Klan Kosova.

Hashim Thaçi prezantoi sot një aneks-marrëveshje me Malin e Zi, sipas të cilës do të ratifikohet demarkacioni. Kryesia e Kuvendit caktoi sot seancën plenare për të ratifikuar demarkacionin ditën e djelë, më 18 shkurt.