Ministria greke për Emigracionin dhe Azilin thotë se regjistroi në muajin shkurt të këtij viti rreth 277 mijë shtetas shqiptarë me leje qëndrimi të rregullta në Greqi, nga rreth 424 mijë që ishin regjistruar në shkurtin e vitit 2022. Sipas të dhënave zyrtare shqiptarët tani përbëjnë 60% të të huajve të rregullt në Greqi nga 62,7 % që përbënin një vit më parë.
Sipas ministrisë greke për Emigracionin dhe Azilin lejet e qëndrimit të shtetasve të vendeve të treta të vlefshme në shkurt të këtij viti janë gjithsej rreth 463mijë duke shënuar një rënie prej 32%, krahasuar me shkurtin e vitit 2022 .
Tre vendet kryesore të origjinës së shtetasve të vendeve të treta me leje qëndrimi të vlefshme janë Shqipëria me 60.0%, Kina me 5.0% , pasuar nga Gjeorgjia me 4.3%, thotë ministria greke e Emigracionit.
Në shkurt të vitit 2023 janë dorëzuar gjithsej 15,807 kërkesa për lejeqëndrimi nga të cilat 7,370 për lejeqëndrimi të reja dhe 8,437 për ripërtëritjen e lejeqëndrimeve, me një rënie prej 29% krahasuar me shkurtin e vitit 2022.
Autoritetet greke kanë lëshuar 10, 232 leje qëndrimi, me një rënie prej 10% krahasuar me shkurtin e vitit 2022.
Sipas ministrisë greke për Emigracionin dhe Azilin numri më i madh i lejeve të reja të qëndrimit për kërkesat e depozituara në dy muajt e parë të vitit 2023 në Greqi ka qenë për shtetasit nga Shqipëria, Kina dhe Rusia.
Ndërkohë rreth 13,700 shtetas nga Shqipëria pjesëtarë të pakicës greke që prej vitesh jetojnë e punojnë në Greqi kanë “statusin e homogjenit”. Ky është një status i posaçëm, që u lejon prej vitesh qëndrim të rregullt në Greqi dhe lëvizjen pa pengesa në kufi edhe kur Greqia aplikonte për Shqipërinë “regjimin e vizave”.
Rënia e ndjeshme e numrit të emigrantëve të rregullt shqiptarë në Greqi sidomos në harkun e një viti lidhet sipas analistëve të emigracionit me shumë faktorë.
Sipas analistëve një faktor madhor në uljen e numrit të shqiptarëve në Greqi lidhet me një prirje të re të emigrantëve shqiptarë që punonin e jetonin prej vitesh në Greqi të emigrojnë drejt vendeve të tjera europiane.
Migrimi i ri i brezit të dytë është kthyer në një dukuri pasi shumë të rinj shqiptarë po largohen tani nga Greqia drejt vendeve si Anglia, Gjermania, Holanda dhe zonat e Europës Veriore, pas vështirësive në Greqi me punësimin dhe pagat e ulta.
Ndërkohë faktorët e tjerë të rënies së numrit të shqiptarëve me lejeqëndrimi lidhen me procedurat e lëshimit të lejeve të cilat vijojnë të ecin me ngadalësi, ndërsa një kategori e emigrantëve shqiptarë të brezit të dytë kanë përfituar nënshtetësinë greke duke mos aplikuar më për leje qëndrimi. /VOA