Shtetet e Ballkanit janë kategorizuar në pozicione të ndryshme në Raportin e Drejtësisë Botërore, “Indeksi i Sundimit të Ligjit 2018“, një ideks që mat respektimin e sundimit të ligjit në 113 vende të botës, publikuar të mërkurën.
Sondazhi – i cili ka anketuar 1,000 persona nga çdo vend dhe ka analizuar përgjigjet e një pyetësori të plotësuar nga ekspertë ligjorë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut – synon të shërbejë si “një mjet sasior që mat sundimin e ligjit në praktikë”.
“Raporti mat sundimin e ligjit bazuar në përvojat dhe perceptimet e publikut të gjerë dhe të ekspertëve brenda vendit”, shkruan prezantimi i tij.
Kategorizimet bazohen në tetë faktorë: kufizimet e pushteteve të qeverisë, mungesa e korrupsionit, qeveria e hapur, të drejtat thelbësore, rendi dhe siguria, zbatimi rregullator, drejtësia civile dhe ajo kriminale.
Në rankimin global – ku Danimarka doli e para dhe Venezuela e fundit – vendet e Ballkanit patën rezultate të ndryshme.
Rumania doli e para e rajonit, në vendin e 29, pasuar nga Sllovenia në vendin e 26 dhe Kroacia në vendin e 35.
Nga vendet e tjera në rajon, Bullgaria doli e 55, Bosnja e 56, Maqedonia në vendin e 57, Shqipëria në vendin e 68 ndërsa Serbia në vendin e 76.
Rusia u rendin në vendin e 89, pak mbi Turqinë.
Sondazhi gjithsesi nuk përfshin të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, por vetëm 114 vende me të dhëna të mjaftueshme. Kosova dhe Mali i Zi nuk u përfshinë.
Rumania performoi relativisht mirë pasi rezultati doli përpara reformave polemike në drejtësi – të cilat sipas aktivistëve do të kufizojnë sundimin e ligjit në vend dhe progresin e bërë deri tani në frenimin e korrupsionit.
Rezultatet e disa vendeve u ndikuan nga hendeku i rezultateve në fusha të ndryshme.
Për shembull, Shqipëria doli mirë në nivel rajonal te të drejtat themelore dhe kufizimet e pushtetit të qeverisë – por doli keq te korrupsioni, gjë që uli rezultatin e përgjithshëm.
Në përgjithësi, një tendencë rënëse u vërejt në respektimin e sundimit të ligjit.
“Të drejtat thelbësore të njeriut raportohen të kenë rënë në thuajse dy të tretat e 113 vendeve të anketuara,” theksoi UK Guardian, “mes shqetësimeve mbi një rritje mbarëbotërore të nacionalizmit autoritar dhe një tërheqjeje nga detyrimet ligjore ndërkombëtare”.
Gazeta citoi profesorin Samuel Moyn nga Universiteti Jeill të thoshte: “Mes shumë shteteve, këto të drejta thelbësore po bien pre e një kundërshtimi ndaj një ekonomie globalizuese”.
“Ringjallja botërore e populizmit, nacionalizmi autoritar dhe tërheqja e përgjithshme nga detyrimet ligjore ndërkombëtare janë trende që, nëse nuk kontrollohen, përbëjnë një kërcënim ekzistencial për sundimin e ligjit. Parandalimi i shkeljeve të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut është gjithmonë më mirë se kurimi i tyre pas ngjarjes,” tha Murray Hunt nga Qendra Bingham për Sundimin e Ligjit për gazetën.
Venezuela doli e fundit, poshtë Afganistanit, për shkak të situatës së keqe të sundimit të ligjit, me hiperinflacion, gjykata të manipuluara, një sistem të dhunshëm burgu dhe një normë vrasjeje prej 56- 73 njerëzish në ditë, duke e bërë atë vendin më të dhunshëm vend në Amerikën Latine.
Danimarka, Suedia, Norvegjia dhe Finlanda u renditën në krye në shkallë globale falë sistemeve shumë efikase të drejtësisë që trajtojnë shkeljet.
Filipinet panë rënien më të madhe nga viti në vit, me 18 vende, për shkak të fushatës së dhunshme anti-drogë të qeverisë.
Në Europën Lindore, Polonia pati rënien më të shpejtë vjetore për shkak të “një sistemi relativisht të suksesshëm që lëvizi shpejt në drejtimin e gabuar, me një prirje rënëse në kategori si kufizimet e fuqive qeveritare, qeveria e hapur, të drejtat themelore dhe drejtësia penale”.