Kryesore Raporti i EMCDAA: Durrësi, portë kryesore e trafikut të kokainës amerikano-jugore në...

Raporti i EMCDAA: Durrësi, portë kryesore e trafikut të kokainës amerikano-jugore në Europë

Rrugët kryesore të trafikimit të drogave në Ballkanin perëndimor. Porti i Durrësit shërben si pikë dalëse edhe për heroinën

Shqipëria e ka humbur rolin si furnizuese kryesore me hashash e tregut të paligjshëm në Bashkimin Europian, por grupet kriminale shqiptare po shndërrohen në protagoniste të furnizimit të këtij tregu me kokainë.

Qendra Europiane e Monitorimit të Drogërave ka publikuar raportin rajonal për vitin 2022. Qendra thotë se pas 2018-s, Porti i Durrësit dhe ai i Barit në Mal të Zi po kthehen në dy hyrje kryesore të kokainës amerikano-jugore në Europë.

Raporti citon aksionet e ndërmarra në tre vitet e fundit të autoriteteve vendase në bashkëpunim me agjencitë europiane të zbatimit të ligjit. Aty citohet kapja e 613 kilogramëve kokainë në Portin e Durrësit në 2018-n dhe të 262 kilogramëve në dy aksione të policisë një vit më parë.

Të gjithë treguesit, thotë Qendra, të çojnë në përfundimin se grupet shqiptare kanë vendosur kontakte të drejtpërdrejta në Amerikën Latine dhe po kthehen në protagonistë të trafikut të kokainës.

Sipas raportit grupet shqiptare po bashkëpunojnë me Ndraghetan italiane përmes ndarjes së territoreve, por edhe aktiviteteve.

Si grupet shqiptare kanë zgjeruar aktivitetin e zinxhirit të furnizimit të kokainës në Europë

Grupet shqiptare kanë arritur të bëhen aktorë të pavarur me lidhje direkte në Amerikën Latine, duke forcuar pozitën e tyre në tregjet europiane dhe duke zgjeruar me shpejtësi tregjet.

Në rritje vlerësohet trafikimi i kokainës dhe nga Portet e Shqipërisë dhe të Malit të Zi. Trafikantët përdorin metoda të sofistikuara komunikimi dhe pagesash. Ndërsa raporti thekson se kultivimi i kanabisit në hapësirat e jashtme në vend ka ardhur në rënie.

Raporti shpjegon se si grupet shqipfolëse kanë arritur që të futen në të gjithë zinxhirin e tregtimit të kokainës, që nga importi deri te shpërndarja.

“Historikisht, në BE, grupet e përfshira në importimin e vëllimeve të mëdha të kokainës prireshin të punonin të ndarë nga tregtarët me shumicë dhe bandat përgjegjëse për shpërndarjen e drogës nëpër tregjet lokale të drogës. Kohët e fundit, janë vërejtur raste të disa rrjeteve kriminale shqipfolëse që duket se janë larguar nga ky model dhe kanë marrë kontrollin e importit dhe shpërndarjes së drogës.

Për shembull, një rrjet dihet se ka përdorur teknologji të sofistikuara komunikimi të koduara për të mbajtur kontakte me drejtuesin e organizatës, me qendër në Ekuador, i cili negocioi drejtpërdrejt me kartelet e drogës së Amerikës së Jugut dhe organizoi dërgesa të mëdha kokaine në portet kryesore në Europë.

Bashkëpunëtorët me bazë në Itali, Holandë dhe Shqipëri e lehtësuan këtë proces dhe ishin gjithashtu përgjegjës për shpërndarjen tek konsumatorët. Kokaina u kontrabandua përtej kufijve europianë e fshehur në automjete të pajisura me ndarje të fshehta dhe kriminelët pastronin të ardhurat e tyre duke përdorur një sistem alternativ në terren të dërgesave me origjinë kineze, i njohur si sistemi fei ch’ien, i ngjashëm me sistemin e transferimit të haËala”, thuhet në raport.

Si rrjedhojë, rrjetet kriminale shqipfolëse duket se janë bërë aktorë të pavarur me lidhje të drejtpërdrejta në Amerikën Latine, ndërsa më parë ato dukeshin se punonin kryesisht përmes rrjeteve kriminale italiane. Kjo nuk do të thotë, sipas raportit se lidhjet me grupet italiane nuk vazhdojnë të ekzistojnë, por që të dyja palët tani duket se punojnë së bashku në pjesë të ndryshme të botës në mënyra që janë të dobishme për të dyja palët.

“Në përgjithësi, tani ka një sasi të konsiderueshme informacioni që sugjeron se rrjetet shqipfolëse kanë zgjeruar aktivitetet e tyre të lidhura me kokainën në më shumë vende të BE-së që nga viti 2017 dhe se ato po luajnë gjithashtu një rol më të spikatur në tregun e kokainës në shumë vende, me aktivitetet që përfshijnë përfshirjen në shpërndarjen në nivel rrugësh”.

Rrjetet kriminale në Ballkanin Perëndimor duket se janë kthyer në aktorët kryesorë në tregun rajonal të drogërave dhe atë të BE-së. Kjo i atribuohet pjesërisht pozicionit gjeografik të Ballkanit, i cili pozicionohet në kryqëzim të rrugëve kryesore të trafikut të drogës por edhe rrugëve potenciale për zhvillimin e drogërave të tjera, duke përfshirë këtu edhe kokainën. Këto rrjete kriminale ndikojnë në sigurinë, qeverisjen dhe sundimin e ligjit në rajon.

Kanabisi, kokaina, heroina, drogat sintetike kontrabandohen brenda dhe jashtë rajonit.

Sipas hartës së publikuar në raport Vlora dhe Durrësi shërbejnë si pika dalëse të kanabisit drejt Italisë. Ndërsa kokaina hyn në Shqipëri dhe më pas shkon drejt Maqedonisë së Veriut.