Kryeministri Edi Rama komentoi raportin e “Freedom House” që e sheh Shqipërinë me një rënie në nivelin e demokracisë gjatë 2019.
Sipas Ramës, në fakt raporti thotë se vendi ynë ka indeksin më pozitiv të lirive demokratike në Ballkanin Perëndimor.
“Në krahasim me një vit më parë, Shqipëria ka një indeks të lirisë demokratike prej 67 pikësh. Serbia, vendi i dytë në klasifikimin rajonal, ka shënuar një regres të lehtë duke kaluar nga 67 në 66, një pikë poshtë Shqipërisë. Maqedonia e Veriut renditet e treta, me 63 pikë, ndërsa Mali i Zi ka pësuar rënien më të madhe në rajon, duke zbritur në 62 pikë nga 65 që kishte vitin e shkuar. Kosova mbetet e parafundit në listë, por me një progres prej dy pikësh (56 pikë nga 54 të vitit të kaluar), ndërsa Bosnja është në një stanjacion të plotë, duke qëndruar në vendnumëro, e fundit përsa i përket lirive demokratike në rajon. Në 2013-n, Serbia dhe Mali i Zi konsideroheshin vende të lira dhe jo pjesërisht të lira si tani, ndërsa Shqipëria me Bosnje Hercegovinën ishin vendet me renditjen më të ulët në rajon”, tha ai në “Facebook”.
Duke pranuar se ka një rënie me një pikë, për këtë kryeministri fajëson opozitën për trazirat që shkaktoi gjatë vitit të kaluar.
“Po, e vërtetë, kemi rënë me një pikë krahasuar me vjet dhe mund të kishim rënë edhe më shumë nëse klima e zjarrtë politike do të kishte djegur largqoftë vendin, siç ishte plani i dështuar i trazirave të vjetshme, të cilat u projektuan për t’i vënë zjarrin Shqipërisë dhe dogjën opozitën.”