Covid-19, rivaliteti global mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. mungesa e ushqimeve, skenarët pesimiste si do të jetë bota në 20 vitet e ardhshme sipas analistëve të inteligjencës amerikane
Bota që ende vazhdon të luftojë me pandeminë e koronavirusit dhe po përballet me sfidat e sistemeve dhe institucioneve të rrënjosura për një kohë të gjatë, nuk ka gjasa të ndjejë lehtësim në 20 vitet e ardhshme, sipas një raporti të ri nga analistët e zbulimit amerikan.
Ata parashikojnë se institucionet dhe sistemet që kanë mbizotëruar në skenën globale që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore do ta kenë të vështirë t’u përgjigjen “sfidave globale” përfshirë ndryshimin e klimës, sëmundjet, krizat financiare dhe teknologjinë gjithnjë në avancim.
Vlerësimi kryesisht pesimist është pjesë e Prirjeve Globale 2040, një raport që hartohet çdo katër vjet nga Këshilli për Zbulimin Kombëtar.
Dhe ndërsa këtë vit ai parashtron disa skenarë, sipas së cilëve demokracitë si ajo e Shteteve të Bashkuara, rimëkëmben dhe forcohen, raporti paralajmëron se kjo nuk do të ndodhë, nëse nuk gjejnë më parë mënyrat se si të përballojnë probleme edhe më të vështira dhe të vazhdueshme.
“Pandemia COVID-19 i ka kujtuar botës se sa e brishtë është dhe tregoi rreziqet që vijnë nga nivelet e larta të ndërvarësisë. Sistemi ndërkombëtar nuk është i ndërtuar në mënyrë të përshtatshme për të përballuar sfidat e ndërlikuara globale”, thuhet në raportin e Këshillit Kombëtar të Inteligjencës.
Ndryshimi i klimës
Një nga sfidat më kritike është ndryshimi i klimës, që gjatë dy dekadave të ardhshme t’i bëjë të gjitha shtetet objekt të temperaturave më të larta, ngritjes së nivelit të deteve dhe motit më ekstrem, si uraganët, tornadot dhe përmbytjet.
Vendet e varfra dhe në zhvillim do të jenë ato që kanë gjasa më të mëdha të vuajnë dhe paaftësia e qeverive të tyre për t’u përshtatur dhe përgjigjur, mund të rezultojë në valë të reja imigracioni.
Një shqetësim tjetër kritik është prirja në rritje e vendeve që të reagojnë ndaj një bote gjithnjë e më shumë komunikim dhe të përparuar teknologjikisht, duke e distancuar veten.
Kjo prirje ushqehet nga përhapja e teknologjive si inteligjenca artificiale, që do ta bëjnë më të lehtë për qeveritë, organizatat dhe madje edhe bizneset që të ndikojnë tek opinion publik, qoftë me fushata informimi, ashtu edhe operacione dezinformimi.
Epërsi për Shtetet e Bashkuara
Një faktor tjetër që do to ndikojë tek transformimi i botës gjatë 20 viteve të ardhshme, është rivaliteti global mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Në skenarin më optimist, analistët e zbulimit parashikojnë epërsi për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre demokratë, pjesërisht sepse kundërshtarë si Kina dhe Rusia dobësohen nga kontrolli në shoqëri që ka paralizuar novacionin.
E ashtuquajtura “Rilindje e Demokracive” nënkupton një Perëndim që përparon falë teknologjisë së avancuar, rritjes ekonomike dhe shtimit të të ardhurave, që zbusin tensionet shoqërore.
Por analistët parashikojnë gjithashtu skenare sipas së cilave, Kina mund ta konsolidojë veten si një fuqi kryesore në mos dominuese, dhe në të cilat bota është e fragmentuar, e mbizotëruar nga fuqitë rajonale “të përqendruara tek mbështetja tek vetvetja, aftësia ripërtëritëse dhe mbrojtja”.
Në një nga skenaret më pesimiste, mungesat ushqimore dhe përhapja e gënjeshtrave, shkaktojnë valë dhune dhe përmbysin udhëheqës dhe regjime në gjithë botën, duke sjellë si rezultat një zhvendosje radikale në shpërndarjen e mirëqenies dhe burimeve.