Aktualitet Raporti i OKB: Shqipëria, vend kryesor për tranzitin e kokainës. Lidhje direkte...

Raporti i OKB: Shqipëria, vend kryesor për tranzitin e kokainës. Lidhje direkte me Amerikën Latine

Policia e Hondurasit ne nje operacion anti droge

Shqipëria është një nga vendet kryesore për trafikimin e kokainës në Europë, sipas raportit të fundit të OKB-së. Raporti që i referohet vitit 2022 e liston Shqipërinë ndër pikat me rëndësi të tranzitit të kokainës, por edhe heroinës në shtetet europiane.

Në fakt, OKB ilustron me anë të një harte se trafiku shqiptar i drogës kalon disa kontinente dhe ka lidhje të drejtë me Bolivinë, që sipas raportit është një ndër trafikuesit më të mëdhenj të drogës në botë, pjesë e “Pellgut të Amazonës”, ku janë dhe shtetet e tjera si Brazili, Kolumbia, Ekuadori etj. Vendi ynë është dhe në harta të tjera si ajo e trafikimit nga Kolumbia, por gjithsesi për këtë të fundit rekordin në Europë e mbajnë Italia, Belgjika e Spanja.

Shqipëria, bashkë me vendet e tjera të Ballkanit përmendet dhe si rrugë e tranzitit të heroinës.

Sipas OKB-së, që nga viti 2012 konkurrenca nga Ballkani është rritur dhe grupet shqiptare kanë krijuar lidhje direkte me Amerikën Latine, duke sjellë rënie çmimesh dhe rritje cilësie.

Tregu aktual global i kokainës është rezultat i një kombinimi të faktorëve të kërkesës dhe ofertës. Nga ana e ofertës, kultivimi i bimëve të kokainës mbuloi 315,500 ha në vitin 2021, një rritje të dukshme nga viti 2020, dhe prodhimi total i kokainës arriti në 2.304 tonë, që ishte rritja e shtatë vjetore radhazi. Të dyja janë nivele rekord.

Nga ana e kërkesës, popullsia e përdoruesve të kokainës, e vlerësuar në 22 milionë në vitin 2021, është rritur gradualisht, por në mënyrë të qëndrueshme, e nxitur nga rritja e popullsisë globale.

Konfiskimet e kokainës gjithashtu janë rritur ndjeshëm, duke arritur në 2026 tonë në vitin 2021. Në terma afatgjatë, rritja e konfiskimeve ka tejkaluar atë në prodhim, dhe për rrjedhojë ka mbajtur në një farë mase ofertën neto të disponueshme për konsum. Megjithëse tregu global i kokainës vazhdon të jetë i përqendruar në Amerikë dhe në Europën Perëndimore dhe Qendrore (me prevalencë shumë të lartë edhe në Australi), në terma relativë duket se rritja më e shpejtë, megjithëse e nisur nga një bazë e ulët, po ndodh në tregjet në zhvillim në Afrikë, Azi dhe Europën Juglindore, thekson raporti.