Bota Raporti i ri i Pentagonit për UFO-t ka elementë që “shpjegohen me...

Raporti i ri i Pentagonit për UFO-t ka elementë që “shpjegohen me vështirësi”

SHBA duket se po shkon tashmë drejt pranimit zyrtar të ekzistencës së Objekteve Fluturuese të Paidentifikuara, njohur botërisht me akronimin UFO. Deri më sot autoritetet dhe shkenca akademike kanë qenë në një lloj dueli mbi të vërtetën e dukurive të tilla të dëshmuara nga miliona njerëz, ndërkohë që në SHBA thuhet se rreth 50% e njerëzve besojnë në ekzistencën e UFO-ve si dëshmi e pranisë së alienëve në planetin tonë.

Duket se anomalitë në fjalë janë dokumentuar nga instancat ushtarake në SHBA dhe ato të Inteligjencës që pritet të publikojnë një raport të posaçëm.

Në një intervistë për Fox News, ish-drejtori i Inteligjecës Kombëtare të SHBA, John Ratcliffe ka pranuar se raportimet e bëra mbi dukuri të tilla janë reale dhe se përmbi të gjitha disa prej tyre janë të pashpjegueshme.

“Ka instanca për të cilat ne nuk kemi shpjegime të mjaftueshme për disa nga gjërat që kemi parë dhe kur ky informacion të deklasifikohet do të jem në gjendje të flas pak më shumë për të”, ka thënë ndër të tjera ai.

Ratcliffe ka pranuar se SHBA ka disa sensorë që përdoren për detektojnë gjëra të tilla dhe se disa manifestime nuk shpjegohen dot. P.sh ka lëvizje që teknologjia e disponueshme nga njeriu nuk i realizon dot, apo kalim të shpejtësisë së zërit pa krijuar shpërthimin sonik haset rëndom në raste të tilla në avionët supersonikë.

Raporti pritet të publikohet më 1 qershor dhe ish-zyrtari ka pranuar se në to do të përfshihen shumë momente të papublikuara më parë.