Çdo vit në Shqipëri rreth 100 persona, diagnostikohen me kancerin e qafës së mitrës, ku 40 prej tyre vdesin nga kjo sëmundje.
Kanceri i qafës së mitrës, renditet e dyta për nga rrezikshmëria që shkakton në shëndetin e grave.
Këto të dhëna u bënë të ditura nga specialisti i Institutit të Shëndetit Publik në Shqipëri Alban Ylli, i cili ishte i pranishëm në konferencën e zhvilluar në Akademinë e Shkencave, në kuadër të Ditës Botërore kundër kancerit.
Specialisti i ISHP-së, Ylli, ngriti shqetësimin se mungesa e një programi të plotë në sistemin shëndetësor për parandalimin e kësaj sëmundje, ndikon në përhapjen e saj. Ai vuri theksin edhe te domosdoshmëria e përdorimit të vaksinave, si një mënyrë për të parandaluar këtë sëmundje, por duke nënvizuar problemin e kostos së lartë të vaksinës.
Por sipas mjekes anatomo-patologe, Majlinda Ikonomi, kanceri i qafës së mitrës mund të parandalohet nëse diagnostikohen herët, si dhe duke përdorur vaksinimin.
Kanceri i qafës së mitrës, prek kryesisht moshat e reja nga 30 vjeç e sipër.