Delegacioni i BE në Shqipëri ka reaguar sot lidhur me raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 Prillit. Në një deklaratë delegacioni i BE, citon disa nga gjetjet e raportit dhe thotë se ka pasur problematika, por sërish zgjedhjet kanë përgjithësisht të organizuara mirë.
“Raporti përfundimtar të Misionit të Kufizuar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë, i cili u zhvillua të dielën, më 25 prill, konfirmon se zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të organizuara mirë nga administrata zgjedhore dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i reformuar, mbikëqyri procesin zgjedhor në një mënyrë transparente, duke gëzuar besimin e palëve të interesuara. Raporti konfirmon gjithashtu shqetësimet në lidhje me keqpërdorimin e burimeve shtetërore apo funksioneve zyrtare nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike”, është kjo deklarata e ambasadës së BE.
Selia diplomatike teksa citon gjetjet e raportit u bën thirrje palëve që në legjislaturën e re të bashkëpunojnë dhe të rregullojnë kuadrin ligjor, që të ketë zgjedhje me standarde më të larta në vijim.
“Raporti përfundimtar ofron rekomandime për të përmirësuar kuadrin zgjedhor në Shqipëri në linjë me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike. Ne nxisim Parlamentin e ri të angazhohet në një dialog konstruktiv për të trajtuar rekomandimet si çështje me përparësi në legjislaturën e ardhshme, si dhe për ta përshtatur kornizën ekzistuese ligjore shumë kohë para zgjedhjeve të ardhshme”, citohet në deklaratë.
Në fund i bëhet thirrje institucioneve të drejtësisë që të përfundojnë hetimet dhe procedimet mbi pretendimin për blerje së votës dhe rrjedhjen e informacioneve personale.