Në Indeksin Global të Fuqisë së Butë që mat ndikimin që ka një vend te vendet e tjera, Shqipëria renditet në vendin e 104-t nga 120 vende, ku sa më i lartë të jetë numri i renditjes, aq më i vogël është ndikimi.
Shqipëria, sipas raportit, ka mundësi të jetë në vend të 50-të, njësoj si Qipro, pasi potenciali që ofron për turizëm dhe investime është shumë i madh. Por, Shqipëria “penalizohet” nga mungesa e strategjive që kanë drejtuesit e vendit, për ta integruar atë më tepër në biznes, tregti, marrëdhënie ndërkombëtare etj.
Kjo është hera e parë që Shqipëria përfshihet në këtë indeks dhe është vlerësuar me 29.1 pikë në total nga 100. Për këtë pikëzim, Brand Finance, organizata që bën raportin bazohet në biznes dhe tregti, qeverisje, marrëdhënie ndërkombëtare, kulturë, trashëgimi, media dhe komunikim, arsim dhe shkencë, njerëz dhe vlera.
Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet e fundit. Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi po ashtu janë hyrje të reja në këtë indeks. Bosnje Hercegovina renditet e para në rajon sa i përket fuqisë së butë, duke u pozicionuar në renditjen e përgjithshme në vend të 72-të. E ndjek Serbia në vend të 78-të dhe Mali i Zi në vend të 97-të.
Të parët në këtë indeks, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pas saj Mbretëria e Bashkuar.
Raporti thekson se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës do të analizohet në një moment i dytë për të matur saktë perceptimet mbi fuqinë e butë të këtyre dy vendeve. Megjithatë, Ukraina është duke përdorur mediat konvencionale dhe sociale në funksion të fuqisë së butë, por edhe për të fituar argumentin. Nga ana tjetër, ekspertët politikë thonë se i vetmi komb me aftësinë për të ndalur konfliktin është Kina, duke përdorur fuqinë e saj të butë ndaj Rusisë.