Raportuesi i Bundestagut gjerman për Ballkanin Perëndimor, Adis Ahmetoviç, ka zhvilluar një konferencë për shtyp me gazetarët këtë të enjte pas vizitës në vendin tonë. Ai u shpreh se në kohët që po jetojmë nuk mund të ndodhë që një vend të vendosë me anë të vetos për të ardhmen e një rajoni. Prandaj sipas tij duhet të ndryshojë ky parim i punës së BE-së.
“Afati, askush dhe unë nuk jam në gjendje të jap një datë. Nuk do të ishte një përgjigje e ndershme. Mbështes aq sa është e mundur ndryshimin e këtij parimi të punës së BE që një vend mund të bllokojë gjithçka në politikën e jashtme dhe të mbrojtjes që e bën BE-në të mos ketë fuqi. Në këto kohë dinamike me kaq probleme na duhet një reformim i BE-së dhe kancelari Olaf Scholz e ka thënë në Bundestag që duhet të punojmë për këtë. Nuk duhet të ndodhë që një vend të vendosë për të ardhmen e një rajoni të tërë prej 6 vendesh sepse nuk janë dakord me një ose dy gjëra. Ndoshta në fillim të ndërtimit të këtij BE ishte vendim i mirë për të ndërtuar besim mes vendeve. Por ky instrument vetoje po përdoret shumë shpesh për gjëra egoiste dhe për shkak të kësaj na duhet ta ndryshojmë”, u shpreh Ahmetoviç.
Raportuesi gjerman shprehu mbështetjen që Shqipëria të ulet në një tryezë me vendet e tjera europiane, por pa të drejtë vote.
“Nëse më pyesni mua personalisht do thoja po. Pse nuk duhet të ulet Shqipëria me vendet e tjera europiane në të njëjtën tryezë, por pa të drejtë vote dhe pa të drejtë vetoje, por sërish të marrë pjesë në këtë proces. Kanë pritur 30 vjet të tëra për këtë. Demokracia e re shqiptare, shumë të rinj inteligjentë të cilët duan të merren me politikë të punojnë për BE-në në Shqipëri, në Tiranë, jepuni njerëzve në Shqipëri ndjesinë e BE-së në vendin e tyre. Mos i shtyni që t’i marrin këto ndjesi në vende të tjera vetëm sepse nuk jeni gati për t’i lejuar që të kenë pjesën e tyre në këtë tryezë apo që Shqipëria të jetë pjesë e kësaj tryeze, për të marrë këtë karrige pa asnjë të drejtë tjetër, por me dy të drejta të dëgjojë e të shohë çfarë ndodh. Unë e mbështes këtë”.
Ahmetoviç u ndal edhe tek Kosova. Ai theksoi se Prishtina e meriton liberalizimin e vizave.
“Kosova është vendi i Europës që ka mbështetur më së shumti, ka një mbështetje më të madhe për BE dhe NATO-n në Shoqërinë e tyre. Ata e duan dhe e dashurojnë BE-në dhe NATO-n/ Na duhet ta mbështesim këtë vend dhe këtë popull. Ata e meritojnë liberalizimin e vizave. Ata meritojnë të jenë anëtarë të Këshillit të Europës. Ne do të mbështesim Kosovën në procesin e saj për KiE në procesin e saj për të marrë statusin e vendit kandidat”, u shpreh Ahmetoviç.