Që prej nisjes së përhapjes masive të koronavirusit të ri në të gjithë botën, ka pasur mjaft teori dhe përcaktime, që kanë shtyrë vendosjen e masave të sigurisë.
Fillimisht u konsiderua i ngjashëm me gripin sezonal, por më i rrezikshëm për grupet e ndjeshme që kanë dhe infeksione apo sëmundje të tjera. Kjo teori rezultoi e gabuar, pasi niveli i vdekshmërisë nga COVID-19 është mbi 2%, krahasuar me 0.1% të gripit sezonal.
Rrezikshmëria e këtij virusi rritet dhe më tepër nga fakti që është i panjohur dhe që nuk kemi një vaksinë për ta luftuar atë. Ka një teori tjetër, për të cilën ekspertët shpresojnë që COVID-19, të sillet si gripi, duke u zhdukur në verë.
“Ky është një virus respirator dhe gjithmonë na japin shqetësime gjatë motit të ftohtë, për arsye të dukshme”, tha Nelson Michael, shkencëtar mjekësor në ushtrinë amerikane.
Gripi përhapet në kushte atmosferike të thata dhe të ftohta, duke bërë që sezoni i tij të prekë më shumë hemisferën veriore. Vendet më të prekura si Wuhani, Irani, Italia apo Koreja e Jugut, kanë aktualisht thuajse të njëjtën klimë me mot të ftohtë dhe me lagështi të lartë.
Shkencëtarët shpresojnë që edhe COVID-19 të ketë një sjellje të njëjtë dhe të zhduket në temperatura të larta, por çfarë ndodh nëse kjo teori nuk rezulton e vërtetë. A mund të përballemi ne me një infeksion që zgjat, gjatë gjithë vitit? Mbi 100 raste me koronavirus janë konfirmuar në Singapor, ku moti është i ngrohtë, gati gjatë gjithë vitit. Australia, Brazili dhe Argjentina janë aktualisht në mes të verës, por kanë raportuar disa raste.
Këto konfirmime shtojnë skepticizmin, se ky koronavirus mund të zhduket në mot të ngrohtë. Megjithatë, ekspertët dhe studiuesit këshillojnë që të respektohen masat strikte për shmangien e kontaktit, pasi është mënyra e vetme për momentin për të frenuar përhapjen. Rasti i Kinës, sipas tyre, është një shembull perfekt për t’u ndjekur në përballimin e kësaj emergjence shëndetësore.