Aktualitet Rasti i Ilvi Metës, Berisha: Të rinjtë po dalin me arkivol nga...

Rasti i Ilvi Metës, Berisha: Të rinjtë po dalin me arkivol nga qelitë e narkopolicisë

Protestës së heshtur në shenjë homazhi ndaj Ilvi Metës, të riut që u gjet i vdekur në Komisariatin e Kavajës, i është bashkuar edhe ish-Kryeministri Sali Berisha.

Gjatë fjalës së tij për mediat, ish-kryeministri ka thënë se rasti i 31-vjeçarit Ilvi Meta, dëshmon sipas Berishës fytyrën e vërtetë të shtetit shqiptar.

Sali Berisha: Kjo është një protestë e heshtur ndaj vdekjeve të të rinjve në qelitë e narkopolicisë shqiptare. Çdo qytetar i këtij vendi që ndalohet në një institucion të vuajtjes së dënimit, ai ka të garantuar me ligj jetën, paprekshmërinë dhe dinjitetin e tij. Kjo është për çdo vend të lirë, kurse në Shqipëri është një seri tragjike të rinjsh, të cilët, hyjnë, shkojnë në qeli të shoqëruar në shëndet të plotë dhe dalin prej tyre me arkivol. Rasti i fundit i Ilvi Metës është një rast tragjik, i cili dëshmon fytyrën e vërtetë të narkoshtetit shqiptar. U shoqërua në polici dhe u mor me një vendim gjykata dhe brenda disa orëve del nga komisariati në arkivol. Asnjë nga përgjegjësit kryesorë të narkoshtetit nuk ka shqipëruar një fjalë të vetme të një të riu që nuk meritonte të humbiste jetën në institucionet shtetërore, por ky është morali i kësaj bande në pushtet që rrezaton në të gjitha institucionet. Unë iu garantoj se shkaku më themelor i kësaj, i këtyre vdekje, vrasjeve apo vetëvrasjeve në qeli, në të dy rrethanat janë shtetërore sepse sipas ligjeve nuk duhet të ndodhin. Shkak më kryesor është rekrutimi në Policinë e Shtetit i pengmarrësve, përdhunuesve, grabitësve dhe vrasësve ordinerë. Në këto qeli përshtaten praktika, qëndrime çnjerëzore, të papranueshme për një vend të lirë. Të gjitha këto janë vrasje shtetërore me qëllim apo pa qëllim. Një gjë është e sigurtë se një i shoqëruar dhe një i ndaluar nuk mund të vrasë veten, as të vritet apo të mbytet.