“Kam qenë përdorues i aplikacionit Sky ECC”.
Ky pohim i bërë në formularët e vetëdeklarimit për përdorimin ose jo të aplikacioneve Sky ECC dhe Encrochat, nga një efektiv i Gardës së Republikës, është bërë shkak për përjashtimin e tij të menjëhershëm nga radhët e institucionit.
Nga rreth 13 mijë punonjës të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Gardës së Eepublikës ky është zyrtari i parë që ka pranuar në formularin e vetëdeklarimit, se ka qenë përdorues i aplikacioneve të enkriptuara.
Sky ECC dhe Encrochat janë dy platforma komunikimi të zbërthyera nga autoritetet franceze dhe ato holandeze në bashkëpunim me Europol.
Procesi i vetëdeklarimit për këto aplikacione nisi në Nëntor të 2023, pas disa hetimeve të kryera nga SPAK në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar nga ku rezultoi se punonjës policie kishin qenë përdorues të Sky ECC dhe Encrochat për qëllime të paligjshme.
Megjithatë këto dy platforma komunikimi nuk janë të vetmet ku zyrtarët e policisë, AMP dhe Gardës së Republikës mund të kenë zhvilluar biseda me eksponentë të botës së krimit, pasi disa aplikacione të tjera pritet të zbërthehen nga autoritetet në bashkëpunim me Europol.
Nisur nga kjo Ministria e Brendshme ka nisur të hartojë një tjetër formular vetëdeklarimi për aplikacione të tjera të enkriptuara.