“Ka batakçinj që shfrytëzojnë hallin e atij që lufton me jetën dhe që shkelin besimin mjek-qytetar, por toleranca do të jetë zero në çdo strukturë dhe ndëshkimi do të jetë maksimal”. Është kjo përgjigjja që dha ministrja Manastirliu në lidhje me rastin e fundit të korrupsionit në spitalin Covid 2, ku sanitarja i mori ryshfet pacientes së shtruar në këtë spital.
Sipas Manastirliut ky rast nuk përfaqëson armatën e mjekëve që sakrifikojnë çdo ditë, ndërsa inkurajoi qytetarët që të denoncojnë çdo rast abuzimi. Sipas saj në spitalin Covid 2 është ngritur edhe një grup hetimi për verifikimin e çdo akuze.
“Këto nuk janë ditë të këqija por të mira, sa herë që një qytetar denoncon me fakte dhe na jep mundësinë për të pastruar këta çibanë nga sistemi shëndetësor. Nuk ka dyshim që 1, 2, 3 individë që abuzojnë me këtë detyrë të shenjtë nuk përfaqëosjnë armatën e atyre që shërbejnë në sistemin tonë shëndetësor dhe sakrifikojnë përditë. Siç kemi rastin e qytetares që denoncoi mund të kemi edhe tjetër rast, por kemi edhe mijëra të tjerë që janë falënderues për ata mjekë e infermierë që nderojnë bluzën e bardhë. Inkurajoj qytetarët që të denoncojnë dhe t’i shkojnë deri në fund edhe indicieve më të vogla. Do të kenë bashkëpunimin tonë të pakursyer. Kushdo që abuzon me të drejtën e qytetarëve të marrë ndëshkimin që meriton. Është ngritur grup pune që do të verifikohet cdo akuzë në spitalin Covid 2. Thirrje qytetarëve mos bini pre e askujt informoni autoritetet, nëse u cenohet e drejta për shërbim apo nëse diçka nuk shkon në të drejtën tuaj”
Ajo siguroi se përpos pandemisë do t’i shkohet deri në fund kësaj lufte pasi shkel besimin mjek-pacient.
“Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj lufte përpos luftës së përditshme me pandeminë. Kjo meriton ndëshkim maksimal, e dyta na bën dëm të madh se godasin marrëdhënien e shenjtë të besimit mjek-pacient që ne jemi duke e kuruar. Toleranca do të jetë zero në çdo strukturë dhe ndëshkimi do të jetë maksimal”.