RCC-ja zhvilloi në Trieste konferencën “Përgjigje rajonale ndaj Sfidave të Sigurisë në Evropën Juglindore“
“Pavarësisht se 83% e europianëve janë dakord që lajmet e rreme përbëjnë kërcënim për demokracinë, këto lajme janë bërë diçka krejt e zakonshme. që qëndron diku mes lirisë së shtypit dhe gjuhës së urrejtjes. Lajmet e rreme po japin kontributin e tyre në masë të gjerë për gjuhën e urrejtjes, e cila s’bën gjë tjetër, veçse i hedh benzinë zjarrit të nacionalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, veçanërisht në median sociale. Kjo është edhe një mënyrë për të radikalizuar të rinjtë, një fenomen botëror ky, ndaj të cilit, edhe rajoni ynë mbetet veçanërisht vulnerabël.
Më shumë se 22% e të rinjve të moshës 17-24 vjeç, nuk shkojnë në shkolla, nuk janë në sistemin arsimor, nuk marrin pjesë në arsimin profesional, ndërkohë që në internet i gjen në një shkallë mjaft të lartë, në shifrën 90%. Në përgjithësi, papunësia qëndron në masën 39%, me një tendencë në rritje të pakënaqësisë ndaj demokracisë, sistemit politik, partive politike apo qeverive”, tha Amer Kapetanoviç, Drejtori i Departamentit Politik të Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal (RCC), në fjalën hapëse të Konferencës së katërt rajonale mbi sfidat për Sigurinë në Evropën Juglindore, që u zhvillua dje në Trieste.
“Për më tepër, migracioni i paligjshëm është kthyer në një sfidë botërore të kohës sonë. Dhe e gjithë Evropa e ka gjetur veten në vështirësi në lidhje me këtë sfidë. Ne përballemi me kaq shumë probleme në ditët e sotme, sa na duhet një qasje rajonale për t’i luftuar këto sfida sigurie, sepse, në fund të fundit, përmirësimi i gjendjes ekonomike, një objektiv i qartë ky për të gjitha shoqëritë e rajonit tone, ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë me sigurinë dhe sundimin e ligjit. Prandaj, ne e mbështetëm fort komponentin e sigurisë në procesin e Berlinit dhe vendosëm që të fuqizojmë e të zgjerojmë partneritetet tona, për të ndihmuar qeveritë në rajon dhe në hapësirën e Bashkimit Evropian (BE) që të bëjnë një vlerësim më të mirë të nevojave dhe të përpilojnë përgjigjet ndaj sfidave bashkëkohore të sigurisë”, përfundoi z. Kapetanoviç.
Z. Valerio Valenti, prefekt i Triestes, dhe z. Robert Popovski, Ministër i Komunikimit, Përgjegjshmërisë dhe Transparencës së Maqedonisë së Veriut, po ashtu mirëpritën idenë e një bashkërendimi më të mirë rajonal, si edhe të komunikimit dhe përgjigjes rajonale ndaj kërcënimeve të sigurisë, të cilat ndahen pothuajse nga të gjitha ekonomitë e rajonit.
Për herë të parë, kjo konferencë rajonale sigurie mblodhi studentë e profesorë nga universitetet e Triestes dhe Ljubljanës, duke përcaktuar kështu tendencën e re të përfshirjes së komunitetit akademik me anën e një qasjeje holistike për çështjet e sigurisë.
Konferenca mblodhi përfaqësues të agjensive dhe të institucioneve të sigurisë të 13 ekonomive të Evropës Juglindore dhe të organizatave rajonale të sigurisë që veprojnë në rajon.