Organizata Ndërkombëtare për Migracion, IOM, ka publikuar raportin e popullsisë dhe panorama për Shqipërinë nuk është shumë optimiste.
Sipas IOM, numri i përgjithshëm i popullsisë së Shqipërisë do të arrijë brenda një kufiri realist midis 2.06 dhe 2.3 milionë banorësh deri në vitin 2050, nga 2.83 që është tani.
Projeksionet e reja të IOM tregojnë popullata e fëmijëve 0-19 vjeç do të pësojë rënie me 47% deri në vitin 2050, ndërsa popullsia mbi 65 vjeç do të zgjerohet me 56%.
“Nëse supozojmë se popullsia e vendit në fund të vitit 2020 ishte 2,83 milionë banorë, numri i përgjithshëm duhet të arrijë në nivelin prej 2,34 milionë banorësh brenda një kufiri realist midis 2,06 dhe 2,64 milionë banorësh deri në vitin 2050”, – sipas projeksionit të IOM.
Sipas ekspertëve, arsyet e kësaj rënieje janë lindshmëria e ulët dhe në rënie, për shkak të tkurrjes së numrit të nënave dhe fertilitetit të ulët. Numri relativisht i lartë dhe në rritje i vdekjeve të shkaktuara nga rritja e numrit të personave të moshuar dhe humbjet që do të vijnë nga emigracioni do të çojnë në rënien e popullsisë së vendit.
Në të njëjtën linjë ishte dhe parashikimi i pak muajve më parë nga Instat, ku parashikohej se për 10 vitet e ardhshme, popullsia e re e Shqipërisë do të ulet me 3%, për çdo vit.
Vetëm për 2022-shin, popullsia u ul me 1.1%, ndikuar nga emigracioni i lartë dhe lindshmëria e ulët. Kështu, në vend është rritur popullsia në moshë të madhe. Mosha mediane, (mosha që ka gjysma e popullsisë) në Shqipëri për 2022-shin ishte 38.8 vjeç. IOM parashikon se ajo do të arrijë në 49 vjeç deri në vitin 2050.
Në një raport të mëhershëm të OKB-së, Shqipëria në 2100 do të ketë rreth 1.8 milionë banorë. Në skenarin e mesëm, numri i banorëve që do të popullojnë Shqipërinë përllogaritet në rreth 1.1 milionë banorë dhe në skenarin më negativ në vetëm 514 mijë banorë, ose sa gjysma e banorëve të Tiranës sot.
Ekspertët ndërkombëtarë, vendas dhe autoritetet kanë intensifikuar apelin për masa kundër largimit të të rinjve, si një fenomen që ve në rrezik të drejtpërdrejtë skemën e pensioneve në vend, tregun e punës dhe financat e shtetit.