Një vazo rreth 3500 vjeçare në muzeun Hecht në Haifa, ka rënë “viktimë” e kureshtjes së një djali të vogël gjatë vizitës së tij me të atin.
Sipas BBC, vazoja që daton në epokën e bronzit, mes viteve 2200 dhe 1500 para Krishtit është bërë copë-copë pasi vogëlushi e ka thyer aksidentalisht.
Vazoja, që konsiderohej si një ekspozitë e rrallë për shkak të gjendjes shumë të mirë u vendos pranë hyrjes së muzeut, jashtë vitrinës së xhamit. Sipas filozofisë së muzeut kjo mund t’u japë vizitorëve mundësinë të admirojnë ekspozitat aty ku është e mundur pa “pengesa”.
Babai i fëmijës deklaroi se djali i tij e tërhoqi butësisht vazon sepse ishte kurioz të shihte se çfarë kishte brenda, duke bërë që objekti antik të binte në dysheme dhe të thyhej. Ai përshkroi për BBC tronditjen e tij kur pa fëmijën pranë vazos së thyer dhe shpjegoi se shkoi menjëherë të fliste me rojen pasi qetësoi djalin.
Ndërkohë, Muzeu Hecht ka sqaruar se fëmija ishte ftuar përsëri në ekspozitë me familjen e tij për një turne me guidë pas incidentit disa ditë më parë.
Lihi Laszlo, menaxheri i përmbajtjes së muzeut, shpjegoi qasjen e tyre.
“Ka raste kur objektet e ekspozitës dëmtohen qëllimisht dhe raste të tilla trajtohen me ashpërsi të madhe, përfshirë këtu përfshirjen e policisë. Megjithatë, në këtë rast, situata nuk ishte kjo. Qypi u dëmtua aksidentalisht nga një fëmijë i vogël që vizitonte muzeun dhe përgjigja do të jetë në përputhje me rrethanat”, tha ai.
Sakaq, një konservator special ka marrë përsipër restaurimin e vazos, e cila së shpejti do të kthehet në vendin e saj.
Qypi ndoshta është përdorur për të transportuar verë dhe vaj ulliri.
Ai u gjet në Samari, në Izraelin perëndimor.
Qypi i rëndë është aq i vjetër sa i përket kohës para mbretit David dhe mbretit Solomon.
Pavarësisht incidentit, muzeu tha është i prirur të ruajë traditën e tij unike të ekspozimit të artefakteve “pa barriera apo mure xhami” në një përpjekje për ta bërë historinë më të prekshme.