Aldi Rama i cili u vetëvra pasi vrau nën komisarin Saimir Hoxhën, do varroset ditën e sotme në orën 14:00. Gjyshërit me të cilët ai është rritur dhe xhaxhai i tij, nuk kanë pranuar të tërheqin trupin e 21-vjeçarit dhe me kërkesë të së ëmës, ai do varroset në Durrës.
Nëna e tij Valbona Kolgjini e cila jeton në Durrës pas ndarjes së bashkëshortit, ka reaguar për herë të parë pas vdekjes së të birit në rrjete sociale duke publikuar një foto të Aldit. Ndërsa në foton e profilit në Facebook ka vendosur një shirit të zi për nder të kujtimit të të birit.
Trupi i tij u transportua nga morgu i spitalit drejt Durrësit falas nga agjencia funerale, aty ku jetonte e ëma dhe i vëllai. Ndërsa babai i tij jeton në Greqi që nga ndarja me Valbonën.
E rritën për shumë vite, gazetarja: Gjyshërit refuzuan të tërhiqnin trupin e Aldi Ramës
Në orën 14:00 të kësaj të enjteje, Aldi Rama do të varroset në Durrës, me kërkesë të mamasë së tij, por edhe sepse gjyshërit dhe xhaxhai që e rritën, nuk kanë pranuar që të tërheqin trupin e 21-vjeçarit, i cili të martën vrau nënkomisarin Saimir Hoxha, e pasi u rrethua nga policia e ktheu armën nga vetja.
“Padyshim që ka qenë një kërkesë e saj (të ëmës) për faktin se ajo ka vuajtur për shumë vite mungesën e të birit pasi rrethanat e kanë mbajtur larg dhe e ka pasur të pamundur ta rrisë, gjë që e kanë rritur familjarët e të atit të Aldit megjithatë flitet për një refuzim të marrjes së trupit nga ana e xhaxhait apo gjyshërve të 21-vjeçarit gjë që ka bërë që të jetë e ëma së bashku me pjesëtarë të tjerë të familjes së saj që ta tërheqë trupin nga morgu dhe të vendosë që ta varrosë pikërisht në qytetin e Durrësit, pra aty ku dhe ajo aktualisht banon dhe është pozicionuar të paktën përgjatë viteve të fundit. Nuk di të themi saktësisht se pse ka ndodhur refuzimi pikërisht i familjarëve që ndodhen në Lezhë nga gjyshërit apo xhaxhai i cili e ka rritur për shumë vite 21-vjeçarin, ndoshta për të shmangur deri diku dhe konfliktet duke qenë se gjithë ngjarja është zhvilluar në zonën e Lezhës dhe ndoshta largimi i tij në distancë në ceremoninë e fundit mortore do të shmangte deri diku konflikte që u cituan dhe me lart”, tha gazetarja e Klan News në Durrës, Enkelejda Arapi.
Gazetarja solli edhe detaje sa i përket situatës pranë shtëpisë së nënës së 21-vjeçarit në qytetin bregdetar.
“Pranë banesës të të ëmës së të ndjerit nuk ka prezencë të efektivëve të policisë përveçse janë disa persona që njohin familjen dhe që të cilat normalisht kanë mbërritur për t’u bërë pjesë e homazheve dhe ceremonisë mortore. Nuk ka prezencë të efektivëve të policisë ndoshta kjo nuk është parë e arsyeshme përveçse këta të fundit patrullojnë në rrugën kryesore të plazhit herë pas herë. Nuk është parë e arsyeshme pasi deri tani të paktën nuk ka ndonjë tendencë për të krijuar ndonjë konflikt. Kemi të bëjmë me një të vdekur i cili qëlloi veten pas ngjarjes së rëndë, ku mbeti dhe i vrarë efektivi i policisë Saimir Hoxha e që ndoshta nga familjarët e efektivit të policisë nuk është parë krijimi i një situate konfliktuale të paktën në këto momente”.