Cristiano Ronaldo nuk kishte harruar të merrte golat me vete ndaj APOEL-it.
Sulmuesi portugez është rikthyer me një dopietë të rëndësishme në ndeshjen e parë të sezonit të ri të Champions League.
Los Blancos nuk e vunë asnjëherë në dyshim fitoren në “Bernabeu” teksa ishte Topi i Artë ai që zhbllokoi rezultatin që në minutën e 12-të.
Për golin e dytë duhet të prisnim deri në minutën e 52-të kur portugezi dyfishoi rezultatin nga pika e bardhë e penalltisë.
Goli i tretë u shënua nga kapiteni i skuadrës Sergio Ramos. Me këtë fitore Real Madrid shkon në krye të grupit H.
Tottenham – Borussia Dortmund
Ndërkohë në sfidën më të fortë të grupit ishte Tottenham që më në fund theu mallkimin e “Wembley-t” duke mundur Borussia Dortmund me rezultatin 3-1.
Ishte një paraqitje fantastike e djemve të Mauricio Pochettino-s, të cilët gjetën golin Son që në minutën e 4-të.
Borussia kundërpërgjigjet menjëherë me ukrainasin Yarmolenko por më pas vijnë dy supergolat e Harry Kane, i cili është rikthyer të shënojë pas thatësirës së gushtit.
Një fitore shumë e rëndësishme e anglezëve të cilët me sa duket do të luftojnë me Borussia Dortmund për vendin e dytë të Grupit H.
City bën “poker” ndaj Feyenoord
Manchester City e ka nisur Champions League me një fitore bindëse 3-0 të marrë në ndeshjen e parë të Grupit F në shtëpinë e Feyenoord.
Lojtarët e Pep Guardiola e kanë zgjidhur takimin në 25 minutat e para, duke shënuar tre gola. Në fillim ka qenë qendërmbrojtësi John Stones ai që ka zhbllokuar ndeshjen pas vetëm dy minutash lojë me një goditje të saktë me kokë. Tetë minuta më vonë ka ardhur dyfishimi i avantazhit të miqve, të cilët kanë shënuar me Sergio Aguero. Goli i tretë i “Qytetarëve” është realizuar nga braziliani Jesus. Në pjesën e dytë ka ardhur edhe goli i katërt i miqve, i realizuar përsëri nga Stones, i cili është bërë mbrojtësi i parë i City-it që shënon dy gola në Champions League.
Humbet Napoli
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Shakhtar ka arritur të mundë me rezultatin e 2-1 skuadrën e Napoli-t në shtëpi. Taison ka realizuar golin e parë për vendasit në minutën e 15-të të pjesës së parë, ndërsa Ferreyra ka shënuar golin e dytë në të 53-ën.
“Axurrët” kanë arritur të ngushtojnë diferencat në minutën e 72-të me një penallti të transformuar në gol nga Milik, por nuk kanë arritur të shmangin humbjen.
Ndeshjet e ardhshme të këtij grupi do të luhen më 26 shtator, me Manchester City që do të presë Shakhtar-in në Angli, ndërsa Feyenoord do të udhëtojë drejt Napoli-t.
Sevilla “shtang” Liverpool
Liverpool nuk ka arritur të hakmerret ndaj Sevilla-s, skuadra që i mundi anglezët në finalen e para dy viteve të Europa League.
Spanjollët, në fakt, kanë arritur të largohen me një pikë shumë të çmuar nga “Anfield” në ndeshjen e parë të Grupit E. Ndeshja ka filluar menjëherë keq për vendasit, kanë parë veten në disavantazh pas vetëm pesë minutash lojë. Një gafë e mbrojtjes i ka dhënë mundësinë Ben Yeder të kalojë në avantazh bardhekuqtë.
Reagimi i “Të Kuqve” ka ardhur në minutën e 21-të, kur Firmino ka barazuar rezultatin pas një aksioni të bukur të ekipit. Përmbysja e vendasve është kompletuar në minutën e 37-të me një gol të Salah. Ky moment është shoqëruar me polemika, pasi lojtarët e Sevilla-s kanë protestuar për një faull të shkaktuar nga Salah para realizimit të golit. Tri minuta para fundit të pjesës së parë Liverpool mund të kishte shënuar edhe golin e tretë, por Firmino është treguar i pasaktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Një gabim ky që i ka kushtuar shtrenjtë ekipit të tij, duke parë se Sevilla ka barazuar takimin në minutën e 72-të me Correa, duke fiksuar shifrat në 2-2. Vendasit e kanë mbyllur ndeshjen me 10 lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Gomez në minutat e fundit. Edhe ndeshja tjetër e këtij grupi, ajo e luajtur në Slloveni mes Maribor dhe Spartakut të Moskës, është mbyllur në barazim 1-1.