Ëndrra e verës së kaluar e tifozëve zikaltër kthehet në rend dite. Interi, për verën e ardhshme po synon fort të marrë shërbimet e Luka Modric, fituesit të “Topit të Artë” për vitin 2018 dhe numrit 10 të Real Madridit.
Kroati, i cili ka një marrëdhënie të shkëlqyer me Perisic, Brozovic dhe Vrsaljko (pjesë e klubit italian në fjalë), ishte afër kalimit tek Interi, gushtin e kaluar, pas Kupës së Botës, ku përfundoi në vendin e dytë me kombëtaren e tij. Tani, në ndihmë të përmbushjes së këtij operacioni, shtohet edhe Marotta. Prej tij synohet goditja vendimtare.
Sinjalet nga Spanja, shkruan “Corriere dello Sport”, janë pozitive në lidhje me shitjen e ish-lojtarit të Tottenham. Rinovimi i kontratës së kroatit, e cila skadon në vitin 2020, nuk është adresuar dot deri më tani, me Real Madridin që, për këtë rol ka fokusuar danezin Christian Eriksen. Ky i fundit është objektivi numër një për mesfushën e “Los Blancos”.
Klubi zikaltër, pas sigurimit të Diego Godin në verë, do të bëjë hapa të tjerë përpara në merkato. Duket mision i vështirë, por jo i pamundur marrja e kroatit. Kontaktet me njerëzit e besuar të nënkampionit të botës janë gjithmonë e më “të gjalla”, ndërsa pritet të shihet se çfarë do të bëjë Real Madridi me Eriksen.
Nëse Florentino Perez ia del të marrë në kryeqytetin spanjoll yllin danez të Tottenham, atëherë sulmi zikaltër për Modric është gati. Marotta e ka gati planin. Pasi u largua nga Juventusi me shijen e një operacioni “big”, si ai i Cristiano Ronaldos, lëvizja e tij e parë me zikaltrit mund të rifillojë nga Real Madridi. Luka Modric është i pari në listën e dëshirave dhe objektivave.